Politikë, Bota, Ekonomi

Trump nënshkruan projektligjin për financim, i jepet fund mbylljes 43-ditore të qeverisë amerikane

Presidenti amerikan Trump nënshkroi një ligj për të financuar qeverinë deri në fund të janarit, duke i dhënë fund një mbylljeje historike që është bërë më e gjata në histori

Michael Gabriel Hernandez  | 13.11.2025 - Përdıtësım : 13.11.2025
Trump nënshkruan projektligjin për financim, i jepet fund mbylljes 43-ditore të qeverisë amerikane

Washington DC

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump nënshkroi të mërkurën një ligj për të financuar qeverinë deri në fund të janarit, duke i dhënë fund një mbylljeje historike që është bërë më e gjata në histori, transmeton Anadolu.

"Ekstremistët në partinë tjetër këmbëngulën në krijimin e mbylljes më të gjatë të qeverisë në historinë amerikane dhe e bënë këtë thjesht për arsye politike", tha Trump në Shtëpinë e Bardhë ndërsa nënshkroi projektligjin e shpenzimeve.

"Kjo nuk është mënyrë për të drejtuar një vend. Shpresoj që të gjithë të biem dakord se qeveria nuk duhet të mbyllet më kurrë", shtoi ai.

Votimi erdhi vetëm disa orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi marrëveshjen dypartiake me një votim 222-209. Senati të hënën miratoi marrëveshjen që i jep fund afatit 43-ditor të financimit dhe financon qeverinë në nivelet e mëparshme deri më 30 janar.

Legjislacioni përfshin paketa fondesh trevjeçare që mbulojnë agjencitë dhe programet thelbësore ndërsa rivendosin në punë punonjësit federalë që u pushuan nga puna nga Trumpi gjatë mbylljes.

Mbyllja filloi më 1 tetor pas një ndërprerjeje në negociatat mbi prioritetet e shpenzimeve federale. Mijëra punonjës federalë që atëherë janë pezulluar nga puna ose janë detyruar të punojnë pa pagesë ndërsa shumë shërbime qeveritare janë shkurtuar ose pezulluar.

Demokratët kishin kërkuar t'i detyronin republikanët të zgjeronin subvencionet e kujdesit shëndetësor sipas ligjit gjysmë-universal të kujdesit shëndetësor të njohur si Akti i Kujdesit të Përballueshëm (ACA) dhe një përmbysje të shkurtimeve në programin e kujdesit shëndetësor "Medicaid" për amerikanët me të ardhura të ulëta që Trumpi dhe aleatët e tij në Kongres zbatuan më parë këtë vit.

Asnjëri prej qëllimeve nuk u arrit gjatë mbylljes ndërsa me republikanët u arrit dakordim vetëm për të mbajtur një votim të mëvonshëm në Senat mbi subvencionet e ACA-s që skadojnë në fund të vitit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın