Trump: Mund të vizitoj Lindjen e Mesme këtë fundjavë, bisedimet për armëpushim në Gaza po shkojnë “shumë mirë”
“Mund të shkoj atje diku nga fundi i javës, ndoshta të dielën”, tha presidenti amerikan.

Washington
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se mund të udhëtojë në Lindjen e Mesme këtë fundjavë, ndërsa negociatat për një armëpushim në Gaza po tregojnë përparim, raporton Anadolu.
Duke folur para gazetarëve në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha: “Paqe për Lindjen e Mesme, kjo frazë e bukur, dhe shpresojmë se do të bëhet realitet, por është shumë afër dhe po shkojnë shumë mirë”.
“Mund të shkoj atje diku nga fundi i javës, ndoshta të dielën”, shtoi Trump, duke vënë në dukje se ka “një shans shumë të mirë” për përparim në bisedime.
“Negociatat po shkojnë shumë mirë”, tha ai, duke lavdëruar ekipin negociator në qytetin turistik Sharm el-Sheikh të Egjiptit, ku zyrtarë amerikanë, turq, katarianë, egjiptianë dhe izraelitë po punojnë për të finalizuar një marrëveshje midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas sipas planit 20-pikësh të armëpushimit të presidentit të SHBA-së për Gazën.
“Kemi të bëjmë me Hamasin dhe shumë vende të tjera… Të gjitha vendet myslimane janë të përfshira. Të gjitha vendet arabe janë të përfshira, vende shumë të pasura dhe disa që nuk janë aq të pasura, por pothuajse të gjithë janë të përfshirë. Nuk ka ndodhur kurrë më parë”, tha ai.