Trump minimizon samitin me Putinin në Budapest: Nuk dua të kem takim të kotë dhe të humbas kohë
"Nuk dua të kem një takim të kotë. Nuk dua të humbas kohë. Do të shoh çfarë do të ndodhë", tha presidenti amerikan, Donald Trump

Washington
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e minimizoi të martën samitin e dytë të pritur me homologun e tij rus, Vladimir Putin, pikërisht kur ky takim, i planifikuar të mbahet në Budapest, u shty për shkak të një ngërçi mbi armëpushimin e shumëkërkuar në Ukrainë, raporton Anadolu.
"Nuk dua të kem një takim të kotë. Nuk dua të humbas kohë. Do të shoh çfarë do të ndodhë", u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale, ku u organizua një ngjarje me rastin e festivalit "Diwali".
Presidenti amerikan iu referua kërkesës së tij për një armëpushim të menjëhershëm që do të ngrinte vijat e frontit në Ukrainë, duke thënë: "Unë thashë: 'Shkoni në vijën e betejës, në vijat e fushëbetejës dhe tërhiquni, shkoni në shtëpi dhe merrni pak kohë pushim, sepse keni dy vende që po vrasin njëri-tjetrin, dy vende që po humbin nga 5 deri në 7 mijë ushtarë në javë'".
Më herët të martën, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se planet për samitin e dytë mes Trumpit dhe Putinit u vunë në pritje pas një telefonate mes sekretarit të Shtetit, Marco Rubio dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, të cilën e përshkroi si produktive.
Më 16 tetor, pas një telefonate me Putinin, Trump kishte njoftuar planet për t'u takuar me presidentin rus në Budapest, Hungari, brenda dy javëve, duke thënë se Lavrov dhe Rubio do të takoheshin këtë javë për të përcaktuar detajet e takimit. Por edhe ky takim u anulua, sipas zyrtarit.
Arsyeja për ndryshimin e papritur mbetet ende e paqartë, por Rusia është kundër insistimit të Trumpit për një armëpushim në Ukrainë që do të ruante vijat ekzistuese të frontit në luftën më shumë se trevjeçare të Kremlinit. Lavrov u tha gazetarëve se kërkesa për një armëpushim të menjëhershëm bie ndesh me angazhimet e mëparshme të marra nga liderit rus dhe atij amerikan gjatë samitit të gushtit në Alaskë.
Ai sugjeroi që zyrtarët evropianë t'u kërkojnë homologëve amerikanë të ndryshojnë qëndrimin e tyre, pasi kërkojnë ndërprerje të përkohshme të luftimeve në vend të një zgjidhjeje afatgjate.
Trump shtoi se "nuk ka marrë ende një vendim", por nuk është e qartë për çfarë e kishte fjalën. Ukraina ka kërkuar nga SHBA-ja furnizim me raketa lundruese "Tomahawk" për të goditur objektiva brenda Rusisë, ndërsa Senati ka përgatitur një projektligj për vendosjen e një pakete të re sanksionesh ndaj Kremlinit, që lideri i shumicës John Thune tha se po pret miratimin e Shtëpisë së Bardhë.
Paketa e sanksioneve pritet të miratohet shpejt në Senat sapo të paraqitet. Aktualisht, ajo ka 85 bashkësponsorë në organin legjislativ 100-anëtarësh. Trump pritet të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë.