Bota

Trump kërkoi nga Netanyahu “të sillet mirë me Gazën” mes bllokadës së vazhdueshme të ndihmës

"Ata njerëz po vuajnë. Ne duhet të sillemi mirë me Gazën. Ne do të kujdesemi për këtë. Ka një nevojë shumë të madhe për ilaçe dhe ushqim dhe ne po kujdesemi për këtë", tha Trump

Michael Gabriel Hernandez  | 25.04.2025 - Përdıtësım : 27.04.2025
Trump kërkoi nga Netanyahu “të sillet mirë me Gazën” mes bllokadës së vazhdueshme të ndihmës

Washington DC

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se i ka thënë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se duhet “të sillet mirë me banorët që vuajnë” në Rripin e Gazës së rrethuar, transmeton Anadolu.

I pyetur nëse ngriti çështjen e shpërndarjes së ndihmës humanitare, të cilën Izraeli e ka bllokuar për më shumë se shtatë javë, Trump në ‘Air Force One’ u tha gazetarëve se i tha Netanyahut gjatë një telefonate të martën se “duhet të sillet mirë me Gazën”.

"Ata njerëz po vuajnë. Ne duhet të sillemi mirë me Gazën. Ne do të kujdesemi për këtë. Ka një nevojë shumë të madhe për ilaçe dhe ushqim dhe ne po kujdesemi për këtë", tha Trump.

I pyetur nëse administrata e tij po kërkon nga izraelitët të lejojnë shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve, Trump u përgjigj: "Po".

Më herët, Programi Botëror i Ushqimit (WFP) njoftoi se ka "zbrazur të gjitha rezervat ushqimore" për familjet në Gaza, pasi kalimet kufitare qëndrojnë të mbyllura nga Izraeli që nga 2 marsi.

Organizata ndërkombëtare paralajmëroi se në kuzhinat e saj, një linjë jetësore që siguron vetëm gjysmën e popullsisë me 25 për qind të nevojave ditore për ushqim, pritet të mbarojnë plotësisht furnizimet brenda disa ditësh.

Gaza është përballur me mbylljen më të gjatë të kalimeve të saj kryesore kufitare në histori, pa furnizime humanitare ose tregtare për më shumë se shtatë javë.

WFP-ja raportoi se çmimet e ushqimeve janë rritur deri në 1.400 për qind krahasuar me periudhën gjatë armëpushimit, ndërsa mallrat thelbësore janë në mungesë kritike, duke ngritur "shqetësime serioze për ushqyerjen" për grupet e cenueshme, duke përfshirë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji dhe të moshuarit.

Agjencia tha se më shumë se 116 mijë tonë ndihma ushqimore, të mjaftueshme për të ushqyer 1 milion njerëz për katër muaj, janë gati të hyjnë sapo të rihapen kufijtë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.