Trump kërcënon me ndërprerjen e tregtisë me Spanjën për kundërshtimin e saj ndaj luftës me Iranin
“Mendoj se nuk po bashkëpunojnë fare. Spanja. Mendoj se kanë qenë shumë të këqij, aspak mirë. Mund ta ndërpresim tregtinë me Spanjën”, tha Trump
Washington
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar se mund të ndërpresë tregtinë me Spanjën, duke akuzuar Madridin për mungesë bashkëpunimi me NATO-n, pasi Spanja ndaloi SHBA-në të përdorë bazat e përbashkëta në territorin e saj për sulme kundër Iranit, transmeton Anadolu.
“Mendoj se nuk po bashkëpunojnë fare. Spanja. Mendoj se kanë qenë shumë të këqij, aspak mirë. Mund ta ndërpresim tregtinë me Spanjën”, u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se Madridi ka qenë “shumë i keq ndaj NATO-s” dhe nuk dëshiron të “paguajë pjesën e vet të drejtë”.
Trump përmendi politikat e Madridit ndaj aleancës, duke theksuar se Spanja përfiton nga mbrojtja e NATO-s, por prej kohësh ka kundërshtuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtje.
Këto deklarata vijnë mes tensioneve mes Washingtonit dhe Madridit për shkak të kundërshtimit të Spanjës ndaj luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Qeveria e majtë e Spanjës, e udhëhequr nga kryeministri Pedro Sanchez, e ka cilësuar fushatën ushtarake “të pamenduar dhe të paligjshme” dhe ka ndaluar avionët amerikanë të përdorin bazat e përbashkëta në jug të Spanjës për ofensivën kundër Teheranit.
Trump gjithashtu kërcënoi se mund të vendosë embargo të plotë tregtare ndaj Spanjës, ndërsa kritikoi Madridin për mosarritjen e objektivit të ri të NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes prej 5 pwr qind.
Dje, ministri i Punwve tw Jashtme i Spanjës, Jose Manuel Albares, tha se marrëdhëniet me Washingtonin vazhdojnë të “funksionojnë normalisht” dhe se ambasadat e të dy vendeve vazhdojnë të mbajnë kontakte të rregullta diplomatike.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
