Trump kërcënon se do ta "zhdukë" Hamasin nëse shkel marrëveshjen e armëpushimit në Gaza
“Ne bëmë një marrëveshje me Hamasin se ata do të jenë shumë të mirë, do të sillen mirë, do të jenë të sjellshëm – dhe nëse nuk janë, ne do të shkojmë dhe do t’i zhdukim, nëse na duhet”, tha presidenti amerikan.
Washington
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi se do ta “zhdukë” Hamasin nëse grupi palestinez nuk i përmbahet marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, e cila përfshin çarmatimin e grupit dhe kthimin e mbetjeve të pengjeve izraelitë, transmeton Anadolu.
Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se SHBA-ja dhe partnerët e saj ndërkombëtarë po ndërmarrin hapa të shumtë për të ruajtur armëpushimin në Gaza.
“Shumë hapa, dhe tani për tani është në duart e të tjerëve”, tha ai kur u pyet se çfarë hapash po ndërmerr administrata për të ruajtur armëpushimin. “Ne bëmë një marrëveshje me Hamasin se ata do të jenë shumë të mirë, do të sillen mirë, do të jenë të sjellshëm – dhe nëse nuk janë, ne do të shkojmë dhe do t’i zhdukim, nëse na duhet”, shtoi ai.
Presidenti i SHBA-së paralajmëroi se situata “do të zgjidhet shumë shpejt” nëse grupi nuk i përmbahet angazhimit të tij ndaj marrëveshjes.
Veçmas, Hamasi tha se të hënën do të dorëzonte mbetjet e një robi tjetër izraelit sipas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
Trupi, shtoi grupi, u nxor nga rrënojat të dielën.
Hamasi tashmë ka liruar 20 pengje izraelitë të gjallë dhe ka dorëzuar mbetjet e 13 robërve të tjerë në këmbim të gati 2.000 të burgosurve palestinezë sipas marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi midis Izraelit dhe Hamasit më 10 tetor, bazuar në një plan me faza të paraqitur nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.
