Trump kërcënon me 100 për qind tarifa ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje për Ukrainën brenda 50 ditësh
Presidenti amerikan njoftoi se SHBA-ja do ta furnizojë Ukrainën me armë përmes NATO-s, por theksoi se aleatët evropianë do të mbulojnë të gjitha shpenzimet

Washington DC
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë 100 për qind tarifa dytësore ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë brenda 50 ditësh, transmeton Anadolu.
Duke folur gjatë një takimi në Zyrën Ovale me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Trump tha se ishte "shumë i pakënaqur" me Rusinë dhe i zhgënjyer nga presidenti Vladimir Putin.
“Mendova se do ta kishim një marrëveshje dy muaj më parë, por duket se nuk po ndodh. Pra, bazuar në këtë, do të vendosim tarifa dytësore. Nëse nuk kemi një marrëveshje brenda 50 ditëve, është shumë e thjeshtë dhe do të jenë 100 për qind”, tha ai.
Duke e quajtur luftën në Ukrainë, e cila vazhdon që nga shkurti i vitit 2022, “lufta e Bidenit”, Trump tha: “Do të doja të përfundonte. Nuk ishte lufta ime… unë po përpiqem t’ju nxjerr nga ajo”.
Ai gjithashtu njoftoi se SHBA-ja do ta furnizojë Ukrainën me armë përmes NATO-s, por theksoi se aleatët evropianë do të mbulojnë të gjitha shpenzimet.
“Sot bëmë një marrëveshje. Do t’ua dërgojmë atyre armët, të cilat ata do t’i paguajnë. SHBA-ja nuk do të bëjë asnjë pagesë. Ne nuk do t’i blejmë, por do t’i prodhojmë dhe ata do të paguajnë për to”, tha ai.
Rutte e konfirmoi marrëveshjen, duke theksuar se, “SHBA-ja ka vendosur që vërtet të furnizojë në masë Ukrainën me gjithçka që është e nevojshme përmes NATO-s. Evropianët do të paguajnë 100 për qind për këtë”.
"Përpjekjet për paqe mes Armenisë dhe Azerbajxhanit po shkojnë drejt një përfundimi të suksesshëm"
Më tej, presidenti amerikan tha se përpjekjet për të arritur një marrëveshje të paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit duket se po shkojnë drejt një “përfundimi të suksesshëm”.
“Thjesht duket se kemi Armeninë dhe Azerbajxhanin. Duket se kjo do të përfundojë, një përfundim i suksesshëm”, tha Trump gjatë takimit me shefin e NATO-s.
Javën e kaluar, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, zhvilluan një takim në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku të dyja palët ranë dakord të vazhdojnë angazhimet dypalëshe.
Marrëdhëniet mes dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.
Shumica e këtij territori u çlirua nga Azerbajxhani gjatë një lufte 44-ditore në vjeshtën e vitit 2020, e cila përfundoi me një marrëveshje të paqes të ndërmjetësuar nga Rusia, duke i hapur rrugën për bisedime për normalizim dhe demarkacion.
Në shtator të vitit 2023, Azerbajxhani vendosi sovranitet të plotë mbi Karabakun pas dorëzimit të forcave separatiste në rajon.
Më 13 mars, Baku dhe Jerevani deklaruan se kishin arritur konsensus mbi të gjitha 17 nenet e një marrëveshjeje paqeje, megjithëse ajo ende nuk është nënshkruar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.