Bota

Trump falënderon Osmanin për miqësinë, premton thellim të bashkëpunimit SHBA-Kosovë

Trump e ka falënderuar Osmanin për lidershipin e guximshëm duke e quajtur “mike të vërtetë të SHBA-së”

Agim Sulaj  | 05.08.2025 - Përdıtësım : 05.08.2025
Trump falënderon Osmanin për miqësinë, premton thellim të bashkëpunimit SHBA-Kosovë Foto: Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë një letër nga presidenti i SHBA-së, Donald J. Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin dhe miqësinë ndaj SHBA-së dhe lidershipin e guximshëm, si dhe shpreh dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet në vijim, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Presidentes, presidenti Trump në letër shkroi se vendimi për të pranuar shtetas nga shtete të tjera tregon gatishmërinë e fortë të Kosovës për të bashkëpunuar me SHBA-në, duke shtuar se lidershipi në këtë çështje tregon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës.

“SHBA-ja dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta”, ka theksuar Trump në letrën e tij.

Duke e falënderuar presidenten Osmani për angazhimin e saj në forcimin e partneritetit me SHBA-në, presidenti Trump gjithashtu shtoi: "Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e SHBA-së. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet në vijim".

Në fund të letrës, presidenti Trump i dërgoi presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın