Bota

Trump emëron drejtorin e ri të përkohshëm të inteligjencës kombëtare

Drejtori i deritanishëm Joe Maguire duhet të braktisë pozitën para 12 marsit

Servet Günerigök   | 20.02.2020
Trump emëron drejtorin e ri të përkohshëm të inteligjencës kombëtare

Washington

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka emëruar ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si drejtor të ri të përkohshëm të inteligjencës kombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Kam kënaqësinë të njoftoj se ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, Richard Grenell, do të bëhet ushtruesi i detyrës drejtor i inteligjencës kombëtare", shkroi Trump në Twitter.

"Rick ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të. Do të doja të falënderoja Joe Maguire për punën e mrekullueshme që ka bërë dhe mezi pres të punoj me të, ndoshta në një pozitë tjetër brenda administratës", shtoi ai.

Maguire ka shërbyer që nga muaji gusht pasi mori postin e drejtorit të përkohshëm më 15 gusht, pas dorëheqjes së Dan Coats.

Përzgjedhja e presidentit Trump për pozitën e drejtorit të përhershëm duhet të konfirmohet nga Senati.

Ligji kërkon që Maguire të braktisë postin e tij para 12 marsit.

Më herët, "New York Times" raportoi për emërimin e ri, duke përmendur tre persona të njohur me këtë çështje dhe duke thënë se Grenell është person besnik i Trumpit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.