"Trump e sheh si pozitiv përparimin në bisedimet Rusi-Ukrainë në Stamboll"
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump e ka vlerësuar si pozitiv progresin që pa në bisedimet Rusi-Ukrainë në Stamboll

Washington DC
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump e ka vlerësuar si pozitiv progresin që pa në bisedimet Rusi-Ukrainë në Stamboll, transmeton Anadolu.
Leavitt theksoi se ata i ndoqën bisedimet midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll dje dhe se procesi këtu ishte i rëndësishëm.
"Fola me presidentin për këtë çështje sot në mëngjes. Ai e sheh si pozitiv progresin që kemi parë (në Stamboll). Ai u bëri thirrje të dy udhëheqësve të ulen dhe të flasin drejtpërdrejt me njëri-tjetrin dhe ata e bënë këtë", tha Leavitt duke shtuar se Rusia i paraqiti palës ukrainase memorandum paqeje dhe se është bërë përparim lidhur me temat që do diskutohen në këtë proces.
"Trump dëshiron shumë që lufta të përfundojë dhe është realist për këtë çështje", tha Leavitt e cila përcolli mesazhin se ata do të ndjekin nga afër rezultatet e bisedimeve në Stamboll.
"Presidenti nuk dëshiron që kjo luftë të zgjatet më tej. Ai dëshiron që konflikti të ndalet dhe kjo çështje të zgjidhet në tryezën e negociatave", tha Leavitt.
- "Nuk kishim dijeni paraprake për sulmin ukrainas me dronë"
Zëdhënësja Leavitt tha se Trump nuk kishte dijeni paraprake për sulmet e shumta të Ukrainës me mjete ajrore pa pilot (dronë) ndaj Rusisë.
Ajo potencoi gjithashtu çështjen e sanksioneve të mundshme kundër Rusisë, e cila ka qenë në axhendën e Kongresit Amerikan dhe theksoi se Trump dëshiron të përdorë sanksione "nëse është e nevojshme".