Trump e quan guvernatorin e Kalifornisë "racist", ndërsa komentet e fundit "politikisht vetëvrasëse"
Komentet e presidentit amerikan vijnë pas polemikave mbi komentet e guvernatorit të Kalifornisë në lidhje me rezultatin e tij në provimin e kolegjit
Stamboll
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e quajti guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, “racist” dhe tha se deklaratat e tij të fundit janë “politikisht vetëvrasëse”, transmeton Anadolu.
“Intervista e Gavin 'Newscum' disa javë më parë ishte ndoshta intervista më vetëshkatërruese që kam parë ndonjëherë”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke iu referuar një eventi muajin e kaluar para një audience ku Newsom bisedoi me kryebashkiakun e Atlantës, Andre Dickens.
“Në një goditje të vetme, ai e përjashtoi veten edhe nga mundësia për t’u konsideruar si kandidat presidencial i demokratëve të çmendur (siç u dëshmua në fjalimin për Gjendjen e Kombit)”, tha Trump. “Njerëzit me ngjyrë janë të zemëruar sepse ai është qartazi racist”, shtoi ai.
Trumpi është i njohur për etiketimin e kundërshtarëve të tij politikë si racistë, veçanërisht politikanëve dhe prokurorëve me ngjyrë, shpesh si përgjigje ndaj kritikave që e akuzojnë atë dhe politikat e tij për retorikë raciste.
Ai gjithashtu e përshkroi eventin e muajit të kaluar si “një akt politikisht vetëvrasës”, duke shtuar se Newsom “nuk është më një kandidat i besueshëm për presidencën”.
Newsom konsiderohet gjerësisht si një nga kandidatët e fortë për nominimin presidencial të demokratëve në vitin 2028, megjithëse ende nuk ka shpallur zyrtarisht kandidaturën. Trump dhe Newsom shpesh përplasen në rrjetet sociale, ku Newsom shpesh parodizon stilin e drejtpërdrejtë dhe bombastik të presidentit.
Gjatë eventit publik, Newsom foli për rezultatin e tij relativisht të ulët në testin SAT për pranimin në universitet, duke thënë: “Nuk po përpiqem t’ju impresionoj, por vetëm t’ju tregoj se jam si ju, nuk jam më i mirë se ju. Jam një djalë me 960 pikë në SAT... dhe nuk dua të ofendoj askënd nëse keni marrë 940”.
Ai gjithashtu foli për vështirësitë e tij me disleksinë.
Konservatorët e kritikuan komentin duke e cilësuar racist, duke thënë se ai nënkupton se Dickens, i cili është me ngjyrë, mund të kishte gjithashtu një rezultat mesatar në testin SAT.
