Trump do të miratojë marrëveshjen që i lejon TikTok-ut të vazhdojë të operojë në SHBA
Shtëpia e Bardhë tha se shitja do t'i jepte kompanisë "Oracle" aksione dhe të dhëna të sigurta të përdoruesve amerikanë

Stamboll
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të nënshkruajë një marrëveshje të enjten që i lejon TikTok-ut të vazhdojë të operojë në SHBA sipas kushteve të reja të sigurisë, sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, transmeton Anadolu.
Zyrtari amerikan ka thënë për "CBS News" të mërkurën se marrëveshja, e përshkruar nga administrata si "shitje e kualifikuar filiali", do të kënaqte një ligj dypartiak që kërkon që kompania mëmë kineze e TikTok-ut, "ByteDance", të ndërpresë lidhjet ose të përballet me një ndalim në gjithë vendin.
Zyrtari tha se marrëveshja do t'u japë investitorëve amerikanë, përfshirë "Oracle", një pjesëmarrje në kompani ndërsa Oracle ofron "siguri nga lart poshtë" duke pritur të dhënat e përdoruesve amerikanë dhe duke rishikuar kodin e aplikacionit për të siguruar që "algoritmi po sillet siç duhet dhe është i sigurt".
Sipas planit, algoritmi i fuqishëm i rekomandimit i ByteDance do të kopjohet dhe ritrajnohet për t'u ekzekutuar vetëm në të dhënat amerikane.
"Ne ndihemi 100 për qind të sigurt se ky propozim, nëse përfundon, është në përputhje me ligjin", tha zyrtari, duke shtuar se ai përmbush "të gjitha ligjet dhe politikat përkatëse nga të dyja palët".
Megjithatë, jo të gjithë ligjvënësit janë të bindur.
Kryetari i Komitetit për Kinën pranë Dhomës së Përfaqësuesve, John Moolenaar paralajmëroi se "marrëveshja e raportuar e licencimit mund të përfshijë vazhdimin e mbështetjes së TikTok-ut të ri në algoritmin e ByteDance, që mund të lejojë vazhdimin e kontrollit ose ndikimit të Partisë Komuniste të Kinës".
Ligji, i mbështetur nga Gjykata Supreme, ndalon çdo lidhje operative midis një TikTok-ut në pronësi të SHBA-së dhe ByteDance, por ia lë autoritetin përfundimtar presidentit për të përcaktuar se çfarë përbën shitje të vërtetë të pronësisë.