Trump: Britania të mos e dorëzojë ishullin Diego Garcia, mund t’i duhet SHBA-së kundër Iranit
Presidenti amerikan tha se Washingtoni mund të ketë nevojë ta përdorë ishullin për të parandaluar një sulm të mundshëm nga një "regjim shumë i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm"
Stamboll
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i bëri thirrje Mbretërisë së Bashkuar që të mos e dorëzojë ishullin Diego Garcian, duke paralajmëruar se Amerika mund të ketë nevojë për të dhe për një bazë ajrore britanike nëse Irani refuzon të arrijë një marrëveshje, transmeton Anadolu.
“Nëse Irani vendos të mos bëjë marrëveshje, mund të jetë e nevojshme që Shtetet e Bashkuara të përdorin Diego Garcian dhe bazën ajrore në Fairford për të parandaluar një sulm të mundshëm nga një regjim shumë i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm”, shkroi Trump në platformën e tij sociale, Truth Social.
Presidenti amerikan tha se një sulm i mundshëm mund të drejtohet ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera “miqësore”.
Trump shtoi se Amerika do të jetë gjithmonë e gatshme dhe e aftë të luftojë për Britaninë, por theksoi se Mbretëria e Bashkuar duhet të mbetet e fortë “përballë ‘woke-izmit’ dhe problemeve të tjera me të cilat përballet”.
“Mos e dorëzoni Diego Garcian”, tha ai.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se postimi i presidentit “duhet të merret si politikë e administratës” Trump.
