Trump: Bisedimet me udhëheqësit evropianë ishin "shumë të mira"
"Të gjithë janë shumë të lumtur për mundësinë e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës", tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Washington
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pas bisedimeve disaorëshe në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit evropianë tha se po punon për të organizuar një takim me presidentët e Ukrainës dhe Rusisë, transmeton Anadolu.
Trump tha se takimet ishin "shumë të mira" dhe trajtoi garancitë e sigurisë për Ukrainën, duke përfshirë edhe angazhimet "që do të ofroheshin nga vendet e ndryshme evropiane, me një koordinim me SHBA-të".
"Të gjithë janë shumë të lumtur për mundësinë e paqes për Rusinë/Ukrainën. Në përfundim të takimeve, e thirra Presidentin (Vladimir) Putin dhe fillova përgatitjet për një takim, në një vend që do të përcaktohet, midis presidentit Putin dhe presidentit (Volodymyr) Zelenskyy", tha ai në platformën amerikane të mediave sociale, Truth Social.
"Pas këtij takimi, do të kemi një Trilateral, i cili do të jetë i dy presidentëve, plus unë. Ky ishte një hap shumë i mirë dhe i hershëm për një luftë që ka vazhduar për gati katër vjet. Zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i Posaçëm Steve Witkoff, po koordinohen me Rusinë dhe Ukrainën", shtoi ai.
Zelenskyy u tha gazetarëve se është gati të takohet me Putinin në çdo format dhe tha se ishte Rusia ajo që ofroi takimin dypalësh, e ndjekur nga përfshirja e Trumpit. Ai tha se ende nuk është caktuar një datë.
Negociatat mbi komponentët kryesorë të një marrëveshjeje të mundshme për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë u zhvilluan gjatë dy raundeve, duke kulmuar me një takim vetëm për udhëheqësit në Zyrën Ovale pas një takimi të zgjeruar të veçantë në Dhomën Lindore.
Midis zyrtarëve që morën pjesë në bisedime ishin kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Friedrich Merz, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni dhe presidenti finlandez, Alexander Stubb. Në bisedime mori pjesë edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.