Politikë, Bota

Trump autorizon CIA-n të përgatisë plane për operacione të fshehta në Venezuelë

Presidenti amerikan Trump ka autorizuar CIA-n të përgatisë operacione të fshehta brenda Venezuelës si pjesë e fushatës më të gjerë të presionit kundër qeverisë së presidentit Maduro

Rabia İclal Turan  | 19.11.2025 - Përdıtësım : 19.11.2025
Trump autorizon CIA-n të përgatisë plane për operacione të fshehta në Venezuelë

Washington DC

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka autorizuar CIA-n të përgatisë operacione të fshehta brenda Venezuelës si pjesë e fushatës më të gjerë të presionit kundër qeverisë së presidentit Nicolas Maduro, transmeton Anadolu.

"New York Times" raportoi duke cituar shumë persona të informuar për këtë çështje, se Trump ka miratuar masa të mundshme të fshehta që mund të synojnë përgatitjen e një fushëbeteje për veprime të mëtejshme.

Në të njëjtën kohë, raporti vë në dukje se Shtëpia e Bardhë ka rihapur bisedimet sekrete me Karakasin, gjatë të cilave Maduro në një moment sinjalizoi se mund të tërhiqej pas një periudhe tranzicioni.

Në një fjalim televiziv të hënën, Maduro paralajmëroi se "çdo ndërhyrje ushtarake amerikane do të shënonte fundin politik të udhëheqjes së Trumpit", duke akuzuar figura rreth presidentit të SHBA-së për "provokim të një konflikti të armatosur" për ta dëmtuar atë politikisht.

Ai përsëriti gatishmërinë e Venezuelës për dialog të drejtpërdrejtë, duke thënë se "diplomacia mbetet pozicioni i pandryshueshëm" i qeverisë së tij.

Që nga fillimi i shtatorit, SHBA-ja ka kryer 21 sulme ndaj anijeve që pretendohet se kontrabandonin drogë në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor Lindor, duke vrarë 83 persona, pasi Trump ka sugjeruar se ai mund të godiste objektiva të dyshuara të trafikimit në territorin e Venezuelës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.