Trump: Armëpushimi në Gaza nuk është "rrezikuar" nga sulmet izraelite
Trump tha se ka dëgjuar për sulmet e fundit "pak kohë më parë" të cilat, siç tha ai, erdhën pas vrasjes së një ushtari izraelit
Washington
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se "asgjë nuk do të rrezikojë" marrëveshjen e armëpushimit në Gaza, pavarësisht valës së re të sulmeve izraelite që vranë të paktën 91 persona në të gjithë enklavën palestineze, transmeton Anadolu.
Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One gjatë rrugës së tij për në Korenë e Jugut nga Japonia, Trump tha se ka dëgjuar për sulmet e fundit "pak kohë më parë" të cilat, siç tha ai, erdhën pas vrasjes së një ushtari izraelit.
"Izraelitët u kundërpërgjigjën dhe duhet të kundërpërgjigjen kur kjo të ndodhë", tha ai.
I pyetur nëse sulmet mund të rrezikojnë armëpushimin në Gaza, Trump u përgjigj se "asgjë nuk do ta rrezikojë atë".
"Hamasi është një pjesë shumë e vogël e paqes në Lindjen e Mesme. Ata thanë se do të sillen mirë dhe nëse sillen mirë, do të jenë të lumtur dhe nëse nuk sillen mirë, do të eliminohen", shtoi ai.
"Kemi shumë vende që janë të gatshme ta bëjnë këtë", tha Trump, duke theksuar se "edhe Japonia sot tha se do të dëshironte të përfshihet në Lindjen e Mesme gjatë takimeve në Tokio".
Trump gjithashtu tha se procesi i armëpushimit po përparon, duke shtuar se "po hyjmë në fazën e dytë". Ai i referohej fazës tjetër të planit të tij 20-pikash për Gazën.
Të paktën 91 palestinezë janë vrarë që mbrëmë në sulmet izraelite në të gjithë enklavën, duke shënuar një shkelje të re të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar sipas planit të Trumpit.
Sipas gazetarëve të Anadolu-t, një sulm ajror goditi kampin e refugjatëve al-Shati në perëndim të Qytetit Gaza, ndërsa zjarri i artilerisë shënjestroi zonat në lindje të qytetit Deir al-Balah në Gazën qendrore. Raketat goditën gjithashtu zonën rreth Kompleksit Mjekësor Shifa në Qytetin Gaza.
Armëpushimi në Gaza hyri në fuqi zyrtarisht më 10 tetor. Faza e parë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të gati 2 mijë të burgosurve palestinezë. Plani 20-pikësh planifikon gjithashtu rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmit të ri qeverisës pa Hamasin.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli në sulmet në Gaza ka vrarë të paktën 68.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur mbi 170 mijë të tjerë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
