Bota

Tri kryeqytete të Ballkanit, ndër dhjetë qytetet më të ndotura në botë

Të dhënat tregojnë se Sarajeva me 292 AQI renditet e para, ndërsa Shkupi me 199 AQI i dyti. Prishtina gjithashtu është në listë me 127 AQI, duke u renditur e dhjeta

Dzihat Aliju  | 27.11.2024 - Përdıtësım : 28.11.2024
Tri kryeqytete të Ballkanit, ndër dhjetë qytetet më të ndotura në botë Foto: Arkiv / AA

Shkup

Tre kryeqytete të vendeve të Ballkanit, respektivisht Shkupi, Prishtina dhe Sarajeva, mëngjesin e sotëm janë renditur në mesin e 10 vendeve me ajrin më të ndotur, sipas uebfaqes IQAir, transmeton Anadolu.

Sipas të dhënave të publikuara në IQAir, kryeqytetet e Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, me vlera të larta të Indeksit të Cilësisë së Ajrit (AQI), janë renditur në mesin e 10 vendeve me ajër më të ndotur në botë.

Të dhënat tregojnë se Sarajeva me 292 AQI renditet e para, ndërsa Shkupi me 199 AQI i dyti. Prishtina gjithashtu është në listë me 127 AQI, duke u renditur e dhjeta.

Kategoria e parë, sipas vlerave të Indeksit të Cilësisë së Ajrit (AQI) është kategoria e ajrit të "mirë", ku AQI është midis 0 deri në 50. Kategoria e "moderuar" është midis 51-100, kategoria "e pashëndetshme për grupet e ndjeshme" është prej 101 deri 150, kategoria e "pashëndetshme" është prej 151 deri 200, kategoria "shumë e pashëndetshme" prej 201 deri 300 si dhe kategoria më lartë "e rrezikshme" mbi 301 AQI.

Renditja e qyteteve kryesore në listën e vendeve më të ndotura përditësohet të paktën një herë në orë për të pasqyruar ndryshimin e kushteve të cilësisë së ajrit në qytetet kryesore anembanë botës.

IQAir është një kompani teknologjike zvicerane që fuqizon individët, organizatat dhe qeveritë të përmirësojnë cilësinë e ajrit përmes informacionit dhe bashkëpunimit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın