Ramallah
Tre palestinezë u plagosën nga të shtënat me armë zjarri të kolonëve izraelitë ilegalë mbrëmjen e së mërkurës gjatë një bastisjeje në qytezën Mikhmas, në verilindje të Kudsit Lindor në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze tha se ekipet e saj në Ramallah i transportuan tre të plagosurit në spital, duke theksuar se njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.
Zyra e Guvernatorit të Kudsit bëri të ditur se kolonët ilegalë izraelitë gjatë sulmit vodhën edhe dhjetëra dele që u përkisnin fermerëve palestinezë.
Radioja “Zëri i Palestinës”, transmetues shtetëror, raportoi se kolonët ilegalë sulmuan shtëpi në periferi të Mikhmasit, sulmuan banorët dhe vodhën bagëti.
Dhuna në Bregun Perëndimor është përshkallëzuar që nga nisja e luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza në tetor 2023, me vrasje, arrestime, zhvendosje dhe zgjerim të vendbanimeve ilegale në mbarë territorin.
Sipas shifrave zyrtare palestineze, që nga fillimi i luftës janë vrarë më shumë se 1.115 palestinezë në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, dhe rreth 11.500 të tjerë janë plagosur. Rreth 22.000 palestinezë janë arrestuar gjatë së njëjtës periudhë.
Në një opinion historik në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm okupimin izraelit të territoreve palestineze dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
