Bota

"Topi tani në fushën e X-it": BE-ja bën thirrje për masa efektive kundër imazheve seksuale "deepfake"

Thirrja vjen mes polemikave rreth veglës së inteligjencës artificiale “Grok” të zhvilluar nga xAI dhe të integruar në X, pasi një veçori për gjenerimin e imazheve e shtuar vitin e kaluar mundësoi krijimin e imazheve seksualisht eksplicite

Melike Pala  | 13.01.2026 - Përdıtësım : 13.01.2026
"Topi tani në fushën e X-it": BE-ja bën thirrje për masa efektive kundër imazheve seksuale "deepfake"

Bruksel

Komisioni Evropian i bëri thirrje platformës sociale X, në pronësi të miliarderit Elon Musk, që të zbatojë masa efektive për të mbrojtur qytetarët e BE-së nga imazhet seksuale “deepfake” dhe përmbajtje të tjera të dëmshme në platformë, raporton Anadolu.

“Jemi ende në atë fazë ku tani topi është në fushën e tyre (të X-it), dhe ne i inkurajojmë fuqishëm që të paraqesin masa të përshtatshme për ta zgjidhur çështjen, sepse duam t’i zgjidhim rastet në dobi të qytetarëve tanë”, u tha gazetarëve në Bruksel zëdhënësi i Komisionit, Thomas Regnier.

Thirrja vjen mes polemikave rreth veglës së inteligjencës artificiale “Grok” të zhvilluar nga xAI dhe të integruar në X, pasi një veçori për gjenerimin e imazheve e shtuar vitin e kaluar mundësoi krijimin e imazheve seksualisht eksplicite.

Regnier tha se X-i ka afat prej 60 deri në 90 ditë për të përmirësuar situatën. Sipas rregulloreve digjitale dhe të inteligjencës artificiale të BE-së, platformat mund të përballen me gjoba të rënda ose masa ndëshkuese nëse nuk arrijnë të parandalojnë përhapjen e përmbajtjes së paligjshme.

Regnier theksoi se megjithëse pronari i X-it ka njoftuar ndryshime në platformë, këto mbeten shumë të kufizuara. “Tani duhet të shohim sa efektive janë apo jo. Ato mund të kenë reduktuar dëmin që u shkaktohet qytetarëve të BE-së, por ne kërkojmë masa të mirëfillta përmirësuese që mbrojnë të gjithë qytetarët në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Ai shtoi se Komisioni Evropian ka marrë tashmë dokumente të brendshme nga X-i dhe po i shqyrton ato si pjesë e një hetimi në vazhdim, i cili mbulon gjithashtu përmbajtje të paligjshme, përfshirë materiale të abuzimit seksual të fëmijëve dhe “deepfake” jokonsensuale të grave.

“Ne kemi një sërë hapash që mund të ndërmerren brenda mekanizmave tanë të zbatimit. Pasi të jemi gati me vlerësimin, do të vendosim nëse nevojiten hapa të mëtejshëm apo jo”, shtoi ai.

I lançuar në vitin 2023, Grok është i disponueshëm përmes X-it dhe u lejon përdoruesve të bëjnë pyetje dhe të gjenerojnë përmbajtje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın