Bota

Toka për çdo vit me 57 ditë më përvëluese deri në vitin 2100, edhe nëse arrihen objektivat e Marrëveshjes së Parisit

Nëse premtimet për reduktimin e emetimeve përmbushen plotësisht, studimi thekson se rritja e temperaturave globale do të kufizohet në 2.6 gradë Celsius deri në vitin 2100

İlayda Çakırtekin  | 16.10.2025 - Përdıtësım : 17.10.2025
Toka për çdo vit me 57 ditë më përvëluese deri në vitin 2100, edhe nëse arrihen objektivat e Marrëveshjes së Parisit

Stamboll

Një studim i ri i botuar ka zbuluar se edhe nëse premtimet e Marrëveshjes së Parisit përmbushen plotësisht, Toka parashikohet të ngrohet me 2.6 gradë Celsius deri në vitin 2100, duke rezultuar në 57 ditë shtesë jashtëzakonisht të nxehta për çdo vit, transmeton Anadolu.

Studimi “Dhjetë vjet të Marrëveshjes së Parisit: E tashmja dhe e ardhmja e nxehtësisë ekstreme", nga organizatat shkencore Klima Qendrore dhe Atribuimi i Motit Botëror, analizon trendet globale të nxehtësisë ekstreme që nga Marrëveshja e Parisit e vitit 2015 dhe si premtimet aktuale të emetimeve do të formësojnë ekstremet e nxehtësisë në të ardhmen.

Nëse premtimet për reduktimin e emetimeve përmbushen plotësisht, studimi thekson se rritja e temperaturave globale do të kufizohet në 2.6 gradë Celsius deri në vitin 2100.

Por edhe sipas këtij skenari, Toka do të shohë 57 ditë shtesë jashtëzakonisht të nxehta në vit krahasuar me mesataren aktuale prej 11 ditësh shtesë të nxehta me rreth 1.3 gradë Celsius ngrohje.

Para objektivave të Parisit për kufizimin e ngrohjes në 1.5 gradë Celsius dhe shumë nën 2 gradë Celsius, ngrohja e parashikuar ishte 4 gradë Celsius deri në fund të këtij shekulli, gjë që do të kishte shtuar 114 ditë jashtëzakonisht të nxehta.

Raporti theksoi se për pothuajse 30 vende, ulja e ngrohjes së parashikuar nga 4 gradë Celsius në 2.6 gradë Celsius do të shkurtonte mesatarisht të paktën 100 ditë jashtëzakonisht të nxehta në vit.

Sipas studimit, ishujt Salomon, Panamaja, Shën Lucia, Guajana dhe Indonezia janë ndër ato vende që do të përballen me rritjen më të madhe të ditëve të nxehta në nivelet e ngrohjes globale prej 2.6 gradë Celsius.

“Ambicia më e lartë e mundshme, siç përcaktohet në Marrëveshjen e Parisit, për të arritur reduktime të thella, të shpejta dhe të qëndrueshme të emetimeve, është urgjentisht e nevojshme”, thekson studimi, duke shtuar se “kostot e mos veprimit ndaj nxehtësisë ekstreme po rriten më shpejt se përshtatja”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.