TIKA shpërndan artikuj ushqimorë për refugjatët Rohingya
Koordinatori i organit shtetëror turk të ndihmës për Bangladeshin, İsmail Gündoğdu theksoi se bashkëpunimi për të ndihmuar refugjatët Rohingya është një nga përparësitë kryesore në Bangladesh

Bangladesh
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA) dje ka përfunduar një shpërndarje pesë-ditore të artikujve ushqimorë midis 5 mijë familjeve Rohingya në kampet e refugjatëve në Bangladesh.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), koordinatori i organit shtetëror turk të ndihmës për Bangladeshin, İsmail Gündoğdu, bëri të ditur se në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme të tyre për muslimanët e persekutuar Rohingya përfunduan shpërndarjen e paketës së parë të dimrit.
Gündoğdu theksoi se një mbështetje e tillë nga qeveria turke për komunitetin pa shtet Rohingya në Bangladesh do të vazhdojë.
Çdo paketë e ndihmave familjare përfshinte 5 kilogram patate, 1 kilogram bizele, gjysmë kilogram peshk i thatë, gjysmë kilogram hudhër, 2 kilogram thjerrëza dhe 2 kilogram miell.
Gündoğdu theksoi se bashkëpunimi për të ndihmuar refugjatët Rohingya është një nga përparësitë kryesore në Bangladesh.
TIKA u themelua në vitin 1992 dhe sot ka zyra në 60 vende. Kjo agjenci humanitare hapi një zyrë në Bangladesh në vitin 2014 dhe që nga ajo kohë ka kryer qindra projekte.
Në muajin shtator të këtij viti, TIKA shpërndau 5 mijë pako me artikuj ushqimorë të thatë midis refugjatëve Rohingya në rrethin jugor të Bangladeshit, në Cox's Bazar.
Ajo këtë vit disa herë po ashtu shpërndau artikuj të kujdesit shëndetësor dhe pako ushqimore midis refugjatëve Rohingya.
Deri në vitin 2019, TIKA shpërndau vakte të ngrohta për afërsisht 25 mijë refugjatë Rohingya në baza ditore.
Rohingya, popull i persekutuar
Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.
Sipas organizatës "Amnesty International", më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e çuar numrin e njerëzve të persekutuar në Bangladesh në më shumë se 1,2 milionë.
Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.
Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i agjencisë OIDA, i titulluar "Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar".
Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.