Bota

TIKA dërgon ndihma ushqimore për 1.012 familje Rohingya

TIKA ka shpërndarë ndihma ushqimore për familjet Rohingya që jetojnë në kampet e improvizuara në Bangladesh

Ekip  | 18.04.2019 - Përdıtësım : 19.04.2019
TIKA dërgon ndihma ushqimore për 1.012 familje Rohingya

Cox's Bazar

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka shpërndarë ndihma ushqimore për 1.012 familje Rohingya që jetojnë në kampet e improvizuara në rrethin Cox’s Bazar në Bangladesh, raporton Anadolu Agency (AA).

Zv/kreu i TIKA-së, Emrah Ekinci, për AA bëri të ditur se për çdo familje Rohingya është ndarë oriz, thjerrëza dhe vaj për gatim. Ai theksoi se të njëjta ndihmë ushqimore këtë muaj do të ndahet edhe për 5 mijë familje të tjera Rohingya.

“Jemi në gjendje të shpërndajmë sende ushqimore në mbi 20 mijë Rohingya në muaj”, tha Ekinci, duke shtuar se ndihma ushqimore po ashtu shpërndahet edhe për disa qindra vendas të varfër.

TIKA ka shpërndarë ushqim të gatuar për muslimanët Rohingya çdo ditë që nga fillimi i fluksit të refugjatëve Rohingya në Bangladesh, pas goditjes ushtarake të 25 gushtit të vitit 2017 në shtetin Rakhinë të Mianmarit.

“Tani ne po shpërndajmë sende ushqimore sipas nevojave të tyre. Para kësaj, ne po ashtu kemi shpërndarë gatime sipas kërkesave të tyre”, tha Ekinci.

Gjatë një vizite në terren, qindra Rohingya u panë duke pritur në radhë në zonën e shpërndarjes së ushqimit nga TIKA në kampin Shafiullah Kata në rajonin administrativ Ukhia të rrethit Cox’s Bazar.

TIKA më herët vizitoi kampet e refugjatëve Rohingya dhe përgatiti një listë me 5 mijë familje. Ajo ndau nga një kartelë për çdo familje. Duke u bazuar në atë kartelë, ata shpërndajnë ndihma ushqimore në mënyrë që të gjitha 5 mijë familjet të marrin sende lehtësuese.

“Ne jemi mirënjohës ndaj TIKA-s dhe nga Bangladeshit që na ndihmojnë”, tha 70-vjeçare Rahima Khatun, e cila u largua nga Mianmari në Bangladesh me katër fëmijët e saj, pasi burri i saj mbetet i humbur që nga goditja ushtarake.

60-vjeçarja Anwara Begum, e cila u largua nga Mianmari së bashku me burrin e saj të plagosur rëndë, tha se pas humbjes së gjithçkaje, tani ata jetojnë në mëshirën e ndihmës së të tjerëve.

“Ne duam të kthehemi në vendin tonë me siguri dhe të drejta”, tha ajo.

- Populli i persekutuar Rohingya

Populli Rohingya, i përshkruar nga Kombet e Bashkuara (OKB) si më i përndjekur në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmit, pasi dhjetëra u vranë në dhunën komunale në vitin 2012.

Sipas Amnesty International, mbi 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht gra dhe fëmijë, janë larguar nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit filluan një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit të Ontariso (OIDA) që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Raporti i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar” tha se mbi 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr, ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën.

Raporti po ashtu theksoi se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit, si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjerë u vandalizuan.

OKB po ashtu ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, duke përfshirë fëmijë, si dhe rrahje dhe zhdukje brutale të kryera nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të përbëjnë krim kundër njerëzimit dhe synim të gjenocidit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.