Politikë, Bota

Tema e "Ristrukturimit global" shënon hapjen e Forumit të 9-të Botëror të TRT-së në Stamboll

Gjatë dy ditëve të forumit, çështje kyçe globale do të diskutohen me pjesëmarrjen e 132 folësve nga 35 vende

Şaduman Türkay  | 31.10.2025 - Përdıtësım : 31.10.2025
Tema e "Ristrukturimit global" shënon hapjen e Forumit të 9-të Botëror të TRT-së në Stamboll

Istanbul

Forumi Botëror i TRT-së 2025 (TRT World Forum 2025), që mbledh së bashku liderë nga e gjithë bota, nisi të premten në Stamboll me temën “Ristrukturimi global: Nga rendi i vjetër drejt realiteteve të reja”, raporton Anadolu.

I mbajtur për herë të nëntë, forumi bashkon akademikë të njohur, politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të think-tank-eve, burokratë dhe gazetarë që formësojnë agjendën globale.

Gjatë dy ditëve, çështje kyçe globale do të diskutohen me pjesëmarrjen e 132 folësve nga 35 vende.

Temat e ditës së parë përfshijnë: Ndërtimi i autonomisë strategjike: Turqia dhe paradigmat e mbrojtjes globale; E ardhmja në konflikt: Konflikti dhe pajtimi në Afrikën Lindore; Agimi i ri i Sirisë: Hartimi i rrugës për rindërtim dhe stabilitet; dhe Nga viktimizimi te qëndresa: Rruga drejt drejtësisë në Gaza.

Forumi prezanton gjithashtu një homazh artistik prekës nga artistja norvegjeze Vibeke Harper, i titulluar “3.925 të ardhme të humbura”.

Më herët këtë muaj, Harper mbajti një ritual përkujtimor 68-orësh në Oslo, ku pjesëmarrësit lexuan emrat e më shumë se 18.000 fëmijëve të vrarë në Gaza.

Në TRT World Forum 2025, Harper e risjell veprën duke ftuar pjesëmarrësit të lexojnë dhe shkruajnë emrat e 3.925 të rinjve të moshës 18-20 vjeç që u vranë në sulmet izraelite, duke vendosur secilin emër mbi letër të kuqe në një mur përkujtimor në heshtje.

Para se të mbante fjalën e tij, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vizitoi zonën e ekspozitës dhe vendosi një nga letrat e kuqe me emrat e të rinjve të vrarë nga Izraeli në murin përkujtimor.

Drejtori i Përgjithshëm i TRT-së, Mehmet Zahid Sobaci, tha se forumi pret 132 folës dhe mbi 1.500 pjesëmarrës nga 35 vende, duke shtuar se diskutimet do të fokusohen në krizat globale, transformimet dhe zgjidhjet për sfidat e përbashkëta.

Duke theksuar temën “Ristrukturimi global: Nga rendi i vjetër drejt realiteteve të reja”, Sobaci tha se sistemi ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore është konsumuar dhe nuk arrin të sigurojë drejtësi ose të zgjidhë krizat, duke çuar në rënie të thellë legjitimiteti dhe morale në qeverisjen globale.

Ai vuri në dukje se bota po kërkon drejtim nën këtë sistem të rrënuar, duke theksuar se zgjidhja qëndron në parashtrimin e vizionit dhe vendosmërisë për ta rindërtuar atë.


- “Ndërsa bëheshin përpjekje për ta legjitimuar gjenocidin dyvjeçar të Izraelit në Gaza, Turqia u bë zëri i drejtësisë”

Sobaci tha se vizioni për paqe globale i presidentit Erdogan dhe diplomacia e Turqisë e vendosin vendin si një aktor transformues, që i jep prioritet dialogut, drejtësisë dhe stabilitetit.

Ai theksoi se Turqia është bërë lojtar kyç në formësimin e së ardhmes, duke mbrojtur interesat e saj dhe duke kërkuar një botë më të drejtë.

Duke përmendur Gazën dhe Sirinë, Sobaci tha se Turqia ka qëndruar në anën e drejtësisë, i ka dhënë zë ndërgjegjes dhe ka luajtur rol aktiv në zgjidhjen e krizave dhe promovimin e stabilitetit.

“Me praninë e saj në terren, Turqia po kontribuon fuqishëm në vendosjen e një rendi gjithëpërfshirës në Siri dhe në frenimin e aktorëve destabilizues. Jo vetëm në Gaza dhe Siri, por edhe në kriza humanitare dhe konflikte të afërta e të largëta, Turqia ka vepruar si ndërmjetës, duke zëvendësuar rendin e vjetër me realitete të reja”, tha Sobaci.

Ai gjithashtu theksoi qëndrimin e Turqisë ndaj Gazës, duke shtuar: “Ndërsa bëheshin përpjekje për ta legjitimuar gjenocidin dyvjeçar të Izraelit në Gaza, Turqia u bë zëri i drejtësisë”.

Sobaci tha se Turqia do të luajë rol udhëheqës në formësimin e një rendi të ri global, duke refuzuar të qëndrojë indiferente ndaj vuajtjeve njerëzore dhe duke theksuar se vendi do të përcaktojë pozicionin e tij në këtë botë të re jo sipas kufijve të vendosur nga të tjerët, por sipas vendosmërisë së tij.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.