Bota

Takimi i ministrave të jashtëm të G20-tës nisë të enjten

Tema e takimit do të jetë "Ndërtimi i një bote më paqësore, më të qëndrueshme dhe më të begatë së bashku"

Merve Gül Aydoğan Ağlarcı   | 06.07.2022
Takimi i ministrave të jashtëm të G20-tës nisë të enjten

Ankara

Më 7 dhe 8 korrik në Bali të Indonezisë do të mbahet Takimi i Ministrave të Jashtëm të Grupit 20 me temën "Ndërtimi i një bote më paqësore, më të qëndrueshme dhe më të begatë së bashku", transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga G20-ta, takimi, i cili do të jetë si një forum strategjik ku do të diskutohen përpjekjet për rimëkëmbjen globale, do të ketë dy sesione të veçanta.

Në sesionin e parë, ministrat e jashtëm të G20-tës do të diskutojnë "forcimin e multilateralizmit" dhe do të shqyrtojnë mënyrat për "forcimin e bashkëpunimit global dhe nxitjen e besimit të ndërsjellë midis vendeve, duke krijuar një mjedis të favorshëm që do të mbështesë stabilitetin, paqen dhe zhvillimin në botë".

Seancës së parë do t'i drejtohet me një fjalim edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres.

Gjatë sesionit të dytë, i cili do të fokusohet rreth "ushqimit dhe energjisë", ministrat do të trajtojnë "veprimet strategjike për të luftuar pasigurinë ushqimore, mungesën e plehrave dhe rritjen e çmimeve globale të mallrave".

Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, do të marrë pjesë gjithashtu në takimin e G20-tës, i cili "do të shkëmbejë pikëpamje mbi forcimin e multilateralizmit dhe garantimin e sigurisë ushqimore dhe energjetike përballë sfidave aktuale dhe të ardhshme që kërkojnë përpjekje të përbashkëta globale", thuhet në njoftimin e ministrisë turke.

Çavuşoğlu do të jetë gjithashtu "mikpritës i Takimit të 21-të të Ministrave të Jashtëm të MIKTA-s më 7 korrik nën kryesimin e MIKTA-s të Türkiye-s".

G20 është një platformë strategjike shumëpalëshe që lidh 20 ekonomitë më të mëdha të botës. Aktualisht G20 kryesohet nga Indonezia. Grupi përbëhet nga ekonomitë më të mëdha në botë, duke përfshirë Rusinë, vendi më i goditur në botë nga sanksionet për luftën e saj kundër Ukrainës të cilën e nisi më 24 shkurt.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.