Tajlanda pezullon marrëveshjen e paqes me Kamboxhian pas shpërthimit të ri të minave tokësore
Megjithatë, Kamboxhia nënvizon angazhimin e saj ndaj marrëveshjes së paqes të nënshkruar në Malajzi
Istanbul
Tajlanda pezulloi marrëveshjen e paqes me Kamboxhian pasi ushtarët tajlandezë u plagosën rëndë në një shpërthim të ri mine tokësore në një provincë kufitare, transmeton Anadolu.
"Të gjitha operacionet sipas Deklaratës së Përbashkët mbi Marrëdhëniet Tajlando-Kamboxhiane, të nënshkruar në Kuala Lumpur më 26 tetor, duhet të ndalen menjëherë", tha kryeministri tajlandez, Anutin Charnvirakul, sipas transmetuesit publik Thai PBS.
Më 26 tetor, të dy vendet nënshkruan marrëveshje paqeje në Kuala Lumpur në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe kryeministrit të Malajzisë, Anwar Ibrahim.
Kamboxhia dhe Tajlanda ranë dakord për armëpushim pa kushte më 28 korrik në një takim trepalësh të organizuar nga Anwar pas javësh armiqësie.
"Armiqësia që shpresonim të zhdukej qartë nuk është zbutur. Pas incidentit mëngjesin e sotëm, bashkëpunimi nuk mund të vazhdojë për momentin", tha Anutin. Shpërthimi i minës tokësore ndodhi mëngjesin e sotëm gjatë patrullimit të trupave në provincën kufitare Si Sa Ket.
Dy ushtarë u plagosën, njëri humbi këmbën e djathtë dhe tjetri mori lëndime në gjoks. Anutin u tha gazetarëve se çdo përparim i ardhshëm do të vazhdojë vetëm nëse u shërben interesave të Tajlandës. Sipas ministrit të Mbrojtjes, gjeneral Nattaphon Nakpanich, "protestat zyrtare do të paraqiten menjëherë".
"Sa i përket çështjes së të burgosurve të luftës, kjo do të pezullohet për momentin. Nëse rezulton se kjo ishte e qëllimshme, do të ketë pasoja më serioze", shtoi ai.
Zëdhënësi i qeverisë, Siripong Angkasakulkiat tha se "është shumë herët për të thënë" nëse pezullimi është "i pacaktuar". "Sapo të paraqitet protesta, ne do të vlerësojmë hapat tanë të ardhshëm", shtoi ai.
Ndërkohë, Kamboxhia theksoi angazhimin e saj ndaj Deklaratës së Përbashkët të Kuala Lumpurit për Paqen, Bashkëpunimin dhe Prosperitetin e nënshkruar së fundmi, sipas të përditshmes "Khmer Times".
Gjeneral-lejtnant Rath Dararoth, sekretar shteti në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare tha se Phnom Penhi është i angazhuar "për të zbatuar detyrimet e tij dhe shprehu gatishmërinë për të punuar ngushtë me Tajlandën për përfitimin e ndërsjellë të të dy vendeve dhe popujve".
