Bota

Tajlanda dhe Kamboxhia ndalojnë luftimet që lanë të vdekur dhjetëra njerëz gjatë 20 ditëve

Të dyja palët u zotuan të ndalojnë të gjitha luftimet dhe të shmangin zjarrin e paprovokuar dhe përparimin e trupave, njoftoi zyra e Kryeministrit të Kamboxhias.

Islam Uddin  | 27.12.2025 - Përdıtësım : 27.12.2025
Tajlanda dhe Kamboxhia ndalojnë luftimet që lanë të vdekur dhjetëra njerëz gjatë 20 ditëve

Ankara

ANKARA (AA) – Forcat tajlandeze dhe kamboxhiane ndaluan sot luftimet vdekjeprurëse kufitare pas disa javësh, pasi ranë dakord për një armëpushim, duke u dhënë fund gati 20 ditëve përplasjesh që lanë dhjetëra të vrarë dhe zhvendosën gati një milion civilë përgjatë kufirit të tyre të kontestuar, transmeton Anadolu.

Sipas Rajonit të Parë të Ushtrisë Tajlandeze, situata përgjatë kufirit tajlandezo-kamboxhian në provincën Sa Kaeo tani është e qëndrueshme pas marrëveshjes së armëpushimit, raportoi media tajlandeze Khaosod.

Më herët, dy vendet ranë dakord të zbatojnë një armëpushim të menjëhershëm sot për t’u dhënë fund tri javëve të luftimeve që kanë lënë dhjetëra të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur.

Marrëveshja u njoftua në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas një takimi të Komitetit të 3-të të Posaçëm të Përgjithshëm Kufitar (GBC), një organ i bashkëkryesuar nga ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve të Azisë Juglindore, sipas zyrës së kryeministrit kamboxhian.

Armëpushimi hyri në fuqi sot, duke filluar në orën 12:00 sipas kohës lokale.

Sipas marrëveshjes, të dyja palët angazhohen të ndalin të gjitha veprimet e armatosura dhe premtojnë të shmangin zjarrin e paprovokuar, avancimet e trupave ose lëvizjet drejt pozicioneve të njëra-tjetrës.

Armëpushimi zbatohet në të gjitha zonat përgjatë kufirit dhe përfshin objektivat ushtarake, civilët dhe infrastrukturën, thuhet në deklaratë.

Në bazë të marrëveshjes, Tajlanda do të kthejë të 18 ushtarët që kanë qenë në paraburgim tajlandez që nga muaji korrik, në Kamboxhia, pasi armëpushimi të jetë respektuar plotësisht për 72 orë.

Si pjesë e masave për uljen e tensioneve, Kamboxhia dhe Tajlanda ranë dakord të ruajnë dislokimet aktuale të trupave pa lëvizje të mëtejshme, përfshirë patrulla drejt pozicioneve përballë.

Të dy vendet ranë gjithashtu dakord të rifillojnë punën e matjes dhe demarkacionit përmes Komisionit të Përbashkët Kufitar sa më shpejt të jetë e mundur, duke u dhënë përparësi zonave kufitare të prekura ku banojnë civilë dhe duke garantuar sigurinë e ekipeve të përbashkëta të matjes, përfshirë mbrojtjen nga minat tokësore.

Marrëveshja u lejon gjithashtu civilëve të zhvendosur të kthehen në mënyrë të sigurt dhe me dinjitet në shtëpitë dhe jetesën e tyre.

Më herët në mëngjes, zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes së Kamboxhias, gjeneral-lejtnant Maly Socheata, pretendoi se ushtria tajlandeze kishte qëlluar rreth 500 predha artilerie në disa zona kufitare, ndërsa dronët hodhën dhjetë ngarkesa dhe avionët luftarakë F-16 kryen sulme ajrore pranë zonave civile, sipas agjencisë shtetërore Agence Kampuchea Presse.

Zëdhënësja pohoi se Tajlanda gjithashtu përdori artileri të rëndë, raketahedhës, tanke, automjete të blinduara, dronë dhe njësi këmbësorie në sulme ndaj pjesëve të provincave Preah Vihear dhe Oddar Meanchey.

Megjithatë, nuk pati reagim apo konfirmim të menjëhershëm nga pala tajlandeze ndaj pretendimeve të fundit kamboxhiane.


– Kryediplmatët e Kamboxhias dhe Tajlandës do të takohen në Kinë

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kamboxhias tha sot se kryediplomati i vendit, Prak Sokhonn, do të marrë pjesë në një takim trepalësh midis Kamboxhias, Tajlandës dhe Kinës në provincën Yunnan në jugperëndim të Kinës të dielën dhe të hënën, me ftesë të homologut kinez Wang Yi, për të diskutuar situatën aktuale midis dy vendeve të Azisë Juglindore.

Kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul po ashtu konfirmoi se kryediplomati kinez Wang ka ftuar ministrin e Jashtëm tajlandez Sihasak Phuangketkeow për bisedime, sipas Thai PBS.

Rreth 99 persona janë vrarë gjatë 20 ditëve të fundit qëkur përplasjet rifilluan më 8 dhjetor, një ditë pas një incidenti kufitar që la dy ushtarë tajlandezë të plagosur.

Në total, 26 ushtarë tajlandezë dhe një civil janë vrarë në luftime. Përveç kësaj, 41 civilë të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e “efekteve kolaterale” gjatë përplasjeve kufitare, sipas autoriteteve tajlandeze.

Ministria e Brendshme e Kamboxhias ka njoftuar për 31 civilë kamboxhianë të vrarë.

Gati 1 milion njerëz janë zhvendosur në të dy anët që nga rifillimi i përplasjeve.

Tajlanda dhe Kamboxhia kanë një mosmarrëveshje të kahershme kufitare që ka shpërthyer në mënyrë të përsëritur në dhunë, përfshirë përplasjet në korrik, kur u vranë të paktën 48 persona.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın