Bota

Tajlanda dhe Kamboxhia bien dakord për 13 pika për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit

Palët shprehën angazhimin e tyre të ndërsjellë për zbatimin e plotë të armëpushimit dhe arritën një dakordim prej 13 pikash për këtë çështje

Ecem Şahinli Ögüç  | 07.08.2025 - Përdıtësım : 07.08.2025
Tajlanda dhe Kamboxhia bien dakord për 13 pika për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit

Ankara

Tajlanda dhe Kamboxhia kanë rënë dakord mbi 13 pika për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit, e cila hyri në fuqi më 28 korrik, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës "The Nation", ministri i Mbrojtjes i Kamboxhias, Tea Seiha dhe ministri i Mbrojtjes në detyrë i Tajlandës, Nattaphon Narkphanit u takuan në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur.

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, palët falënderuan Malajzinë për rolin e saj si ndërmjetës në negociatat e armëpushimit. Palët shprehën angazhimin e tyre të ndërsjellë për zbatimin e plotë të armëpushimit dhe arritën një dakordim prej 13 pikash për këtë çështje.

Në takim morën pjesë si vëzhgues edhe zyrtarë nga Kina, SHBA-ja dhe Malajzia.

- Tensionet kufitare midis Tajlandës dhe Kamboxhias

Tajlanda dhe Kamboxhia, të vendosura në Azinë Juglindore dhe të ndara nga një gardh kufitar prej 817 kilometrash, kanë një mosmarrëveshje territoriale prej kohësh.

Pas shkeljes së marrëveshjeje kufitare midis Tajlandës dhe Kamboxhias, më 28 maj në rajon u shënuan përleshje në periudhë të shkurtër ndërsa ushtritë e dy vendeve u dakorduan të zgjidhnin çështjen në mënyrë paqësore.

Pothuajse dy muaj më vonë, shpërthyen përleshjet përgjatë kufirit më 24 korrik, duke lënë të vdekur 32 persona nga të dy vendet.

Kryeministri i Kamboxhias, Hun Manet dhe zëvendëskryeministri i Tajlandës, Phumtham Wechayachai u takuan në Kuala Lumpur, nën ndërmjetësimin e Malajzisë, për të diskutuar mbi tensionet në kufirin e tyre.

Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim më 28 korrik deklaroi se pas bisedimeve për armëpushim, palët ranë dakord për zbatimin e një armëpushimi "të menjëhershëm dhe pa kushte".

Ministria e Punëve të Jashtme e Tajlandës akuzoi Kamboxhian për sulme përgjatë vijës së diskutueshme kufitare, duke thënë se "Kjo është shkelje e qartë e marrëveshjes së armëpushimit".

Ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias mohoi pretendimet se vendi ka shkelur armëpushimin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.