Tajfuni Ragasa shkakton mbyllje të shkollave dhe evakuime në Filipine dhe Tajvan
Në kryeqytetin e Filipineve, Manila dhe në shumë provinca, shkollat në të gjitha nivelet dhe puna jo-thelbësore qeveritare u pezulluan, si dhe disa fluturime u anuluan

Tiranë
Filipinet dhe Tajvani kanë pezulluar mësimet dhe punën në zyrat qeveritare në disa provinca të hënën dhe Aeroporti i Hong Kongut po shqyrton ndërprerjen e operacioneve për 36 orë, ndërsa afrohet Super Tajfuni Ragasa, raporton Anadolu.
Në kryeqytetin e Filipineve, Manila dhe në shumë provinca, shkollat në të gjitha nivelet dhe puna jo-thelbësore qeveritare u pezulluan. Disa fluturime u anuluan gjithashtu për shkak të erërave të forta dhe shiut, sipas të përditshmes lokale "Inquirer".
Tajfuni parashikohet të kalojë afër ose të arrijë në tokë në ishullin Babuyan.
Rreth 10.061 individë u “evakuuan paraprakisht” në zonat me rrezik të lartë të Luzonit Verior dhe Qendror, sipas "Manila Bulletin".
Pritet të dalë nga Zona e Përgjegjësisë Filipinase deri të martën.
Në Tajvan, Drejtoria e Përgjithshme e Administrimit të Personelit anuloi punën dhe mësimet në qarqet Pingtung, Hualien dhe Taitung.
Të gjitha fluturimet për në ishujt periferikë pas mesditës u anuluan dhe 88 shërbime tragetesh në 13 itinerare u pezulluan në Tajvan, sipas "Focus Taiwan".
Ndërkohë, Autoriteti i Aeroportit të Hong Kongut po shqyrton mundësinë e mbylljes së terminalit për shkak të “kërcënimeve serioze” nga Ragasa, i cili parashikohet të sjellë erëra me forcë uragani deri në 220 kilometra në orë (137 milje në orë) në ditët në vijim, sipas "South China Morning Post" me seli në Hong Kong.
Në Kinë, departamenti i parandalimit dhe zbutjes së fatkeqësive i Byrosë së Menaxhimit të Emergjencave të Shenzhenit tha të dielën se qyteti është duke u përgatitur për evakuimin e 400.000 njerëzve që banojnë në zona me tendencë për përmbytje.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.