Të paktën 3 të vrarë dhe 60 të plagosur në sulmin rus me dronë në qytetin Kharkiv
- Forcat Ajrore të Ukrainës pretendojnë se mbrojtja e tyre ajrore ka rrëzuar 49 nga 85 dronë të lëshuar nga Rusia gjatë natës.

Istanbul
STAMBOLL (AA) - Ukraina njoftoi se të paktën 3 persona u vranë dhe 60 të tjerë u plagosën në një sulm nga Rusia me dronë gjatë natës në qytetin e Kharkivit, transmeton Anadolu.
Guvernatori Oleh Synyehubov konfirmoi sulmin në një deklaratë në Telegram, ku theksoi se mes të plagosurve ka dhe fëmijë.
Duke treguar se sulmet kishin në shënjestër lagjet Slobidskyi dhe Osnovianskyi të Kharkivit, Synyehubov pretendoi se 15 dronë u lëshuan nga Rusia.
Ai tha se në sulm gjithashtu u dëmtuan nëntë ndërtesa apartamentesh si dhe tre shtëpi private, 13 makina dhe një fabrikë.
Kryetari i Bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov tha se sulmi ndodhi midis orës 00:31 dhe 00:40 sipas kohës lokale.
Forcat Ajrore të Ukrainës më vonë në Telegram thanë se mbrojtja e tyre ajrore ka rrëzuar 49 nga 85 dronë të lëshuar nga Rusia gjatë natës.
Kharkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, rreth 30 kilometra nga kufiri rus, është shënjestruar rregullisht nga sulmet ajrore në luftën e vazhdueshme.
Autoritetet ruse nuk komentuan menjëherë mbi pretendimet e Ukrainës.