Të paktën 21 persona u plagosën nga shpërthimi në një pikë karburanti në Romë
Sipas raporteve fillestare nga departamenti i zjarrfikësve, incidenti u shkaktua nga shkëputja e një pompe nga një cisternë që furnizonte stacionin me karburant

Romë
Të paktën 21 persona u plagosën në një shpërthim të ndodhur në një pikë karburanti në lagjen Prenestino, në lindje të kryeqytetit të Italisë, Romë, transmeton Anadolu.
Departamenti i Zjarrfikësve (Vigili del Fuoco) i Italisë, përmes një postimi në platformën X njoftoi se shpërthimi ndodhi në një pikë karburanti në Rrugën Gordiani në orët e mëngjesit dhe se ndaj zjarrit kanë ndërhyrë 10 ekipe.
Sipas raporteve fillestare nga departamenti i zjarrfikësve, incidenti u shkaktua nga shkëputja e një pompe nga një cisternë që furnizonte stacionin me karburant.
Agjencia ANSA raportoi se të paktën 21 persona, përfshirë zjarrfikës dhe oficerë policie, u plagosën në shpërthimin dhe se këta persona kanë pësuar djegie të lehta dhe lëndime të shkaktuara nga shpërthimet e xhamave.
U theksua se dritaret e ndërtesave përreth u thyen dhe u dëmtuan për shkak të shpërthimit, dhe se tymi i zi që mund të shihej nga çdo pjesë e qytetit vazhdon.
Disa dëshmitarë transmetuan se zjarrfikësit që iu përgjigjën zjarrit që shpërtheu pas shpërthimit të parë në pikën e karburantit në fjalë dhe policia që po përpiqej të siguronte sigurinë në zonë, u plagosën për shkak të shpërthimit të dytë që pasoi.
Njoftohet se të lënduar mund të ketë edhe në mesin e atyre që jetojnë në banesat pranë pikës së karburantit, se shpërthimi shkaktoi shqetësim në zonë dhe se janë evakuuar disa ndërtesa.
Në anën tjetër, u tha se shërbimet në linjën C të metrosë që kalon nëpër zonë u ndaluan për shkak të shpërthimit.
Ndërkohë, Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, në postimin e saj në llogarinë e saj X, në lidhje me shpërthimin në Romë deklaroi se po ndjek nga afër zhvillimet.
"U takova me kryetarin e bashkisë së Romës Roberto Gualtieri dhe jam në kontakt të vazhdueshëm me Nënsekretarin e Kryeministrisë Alfredo Mantovano dhe autoritetet për të monitoruar zhvillimet. Shpreh afërsinë time me të gjithë të lënduarit, përfshirë oficerët e zbatimit të ligjit, zjarrfikësit dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, dhe shpreh falënderimet e mia të sinqerta për ata që janë përfshirë në operacionet e shpëtimit dhe sigurisë", shkroi Meloni.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.