"Të jesh gazetare në Afrikë është më e lehtë se në shumë vende të botës"
Në Samitin e Medias Turqi-Afrikë i cili mbahet në Stamboll, gazetaret femra nga Turqia, Liberia dhe Nigeria mbajtën fjalime në panelin me titull "Gratë në gazetari"

Në Samitin e Medias Turqi-Afrikë u fol për vështirësitë me të cilat përballen gazetaret femra në terren dhe në tryezë si dhe u diskutuan propozimet për zgjidhjen e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Samitin e Medias Turqi-Afrikë i cili mbahet në Stamboll nga Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës së Turqisë dhe i cili do të vazhdojë dy ditë, gazetaret femra nga Turqia, Liberia dhe Nigeria mbajtën fjalime në panelin me titull "Gratë në gazetari".
Në aktivitetin e organizuar me rastin e 25 majit - Ditës së Afrikës, krahas 80 gazetarëve nga 45 vende të Afrikës, marrin pjesë diplomatë afrikanë, drejtues të institucioneve publike, përfaqësues të medias, akademikë si dhe përfaqësues nga sektori privat dhe organizatat e shoqërisë civile.
Fatma Esma Arslan, gazetarja e Anadolu Agency (AA) për Senegalin, shpjegoi kushtet e punës në Afrikë si një gazetare femër.
"Të jesh gazetare femër në Afrikë është më e lehtë se në shumë vende të botës. Më parë kam punuar 4 vite në Paris dhe jam përballur me vështirësi. Në të vërtetë njerëzit presin nga ju të kundërtën. Mendohet se femrat mund të kryejnë më lehtë këtë profesion në Evropë, se të jesh femër në Afrikë është më e pafavorshme. Këtë e them duke u bazuar në përvojën time në Afrikë, duke punuar vetë personalisht si një gazetare në terren kam vërejtur se të punosh si grua në Afrikë është një avantazh", deklaroi Arslan.
Ndërsa Nur Özkan Erbay, koordinatorja e Zyrës së Markës së Turqisë në Drejtorinë e Komunikime të Presidencës tha se "Si gazetarë ndiejmë emocion kur shpjegojmë një histori. Punojmë 7/24 por kënaqemi kur një lajm i yni publikohet. Pa dallim gjinie, mashkull apo femër, personit që punon në fushën e medias duhet t‘i ofrohet mundësia që të arrijë qëllimet e tij".
Erbay tha se gazetaret femra kanë një rol të rëndësishëm në luftën me dezinformimin.
"Diferenca e pagës mes gazetareve femra dhe meshkuj është shumë e lartë"
Estelle Liberty Kemoh, drejtoresha e përgjithshme e Liberia LBS tha se gratë kanë mundur të rriten në pozicione më të mira pavarësisht se gazetaria në përgjithësi është një sektor ku meshkujt dominojnë.
Ajo tha se femrat mund të shihen në zonat e krizës, në lajmet speciale dhe kudo. "Por, përballeni me pengesa të ndryshme dhe këto bëjnë që koleget tona femra të largohen. Në anën tjetër edhe diferenca e pagës mes gazetareve femra dhe meshkuj është shumë e lartë. Ne detyrohemi të shtyjmë më shumë dyer", thekson Kemoh.
Duke bërë të ditur se gratë në të gjithë botën janë të detyruara të fitojnë para dhe gjatë këtij procesi mund të ngacmohen nga pronarët, drejtorët e tyre, Kemoh tha se "Dhe kjo pengon që gazetaret femra të punojnë".
Raji Ronke, nga televizioni Channels i Nigerisë tha se si gra janë të detyruara të bëjnë detyrën pavarësisht të gjitha vështirësive të përjetuara.
Ronke shtoi se televizioni Channels ka një staf prej 500 punonjësish prej të cilëve 100 janë femra dhe se femrat janë të pranishme edhe në mesin e drejtuesve të lartë të kanalit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.