Sulmi izraelit shënjestron një ndërtesë shumëkatëshe në Bejrut
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan momentin e shembjes së strukturës, me tym të dendur që ngrihej dhe re pluhuri që përhapeshin në zonën përreth
Bejrut
Një sulm ajror izraelit ka shënjestruar një ndërtesë shumëkatëshe në qendër të Bejrutit, pasi ushtria kishte lëshuar më herët një paralajmërim evakuimi për vendin e shënjestruar, transmeton Anadolu.
Sulmi goditi një ndërtesë në lagjen Bashoura, e cila më herët nga ushtria izraelite ishte identifikuar si objektiv sulmi. Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan momentin e shembjes së strukturës, me tym të dendur që ngrihej dhe re pluhuri që përhapeshin në zonën përreth.
Ushtria izraelite tha se sulmet e fundit shënjestruan lokacione që ajo pretendon se përdoren nga grupi Hezbollah. Kjo vjen pas sulmeve ajrore izraelite herët sot ndaj zonave të banimit në qendër të Bejrutit, të cilat sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit, vranë gjashtë persona dhe plagosën 24 të tjerë.
Dje, Izraeli gjithashtu lëshoi urdhra evakuimi për banorët e qytetit Tyre dhe kampeve të refugjatëve palestinezë aty pranë, duke paralajmëruar se do të shënjestrojë objektiva që pretendon se përdoren nga Hezbollahu.
Hezbollahu filloi të sulmojë bazat ushtarake izraelite më 2 mars në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme izraelite pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit që hyri në fuqi në nëntor të vitit 2024 si dhe pas vrasjes së liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në një sulm ajror të përbashkët SHBA-Izrael më 28 shkurt.
Izraeli përshkallëzoi sulmet po atë ditë me sulme ajrore në periferitë jugore të Bejrutit si dhe në jug dhe lindje të Libanit. Ai gjithashtu nisi inkursion të kufizuar tokësor në jug të Libanit më 3 mars, pasi filloi fushatë të përbashkët ushtarake me SHBA-në kundër Iranit më 28 shkurt.
