Sulmi izraelit godet një shtëpi në Gaza mes gjenocidit të vazhdueshëm
Shpërthimi rrafshoi ndërtesën dhe shkaktoi dëme të mëdha në strukturat dhe infrastrukturën aty pranë. Pas kësaj, re të dendura tymi u ngritën mbi lagje, duke errësuar horizontin

Gaza
Një sulm ajror izraelit ka goditur shtëpinë e familjes palestineze Ajur pranë kryqëzimit Abbas në Gazën perëndimore derisa sulmet e pamëshirshme të Izraelit vazhduan ndaj civilëve në enklavën e rrethuar mes gjenocidit të vazhdueshëm, raporton Anadolu.
Shpërthimi rrafshoi ndërtesën dhe shkaktoi dëme të mëdha në strukturat dhe infrastrukturën aty pranë. Pas kësaj, re të dendura tymi u ngritën mbi lagje, duke errësuar horizontin. Raportet lokale tregojnë se sulmi rezultoi në viktima dhe të plagosur, megjithëse numri i saktë i viktimave nuk është konfirmuar.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite vazhdon me gjenocidin në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 61.200 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimi i pamëshirshëm ka shkatërruar enklavën dhe ka çuar në mungesë ushqimi.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën në enklavën palestineze.