Sulmet izraelite vrasin 16 palestinezë të tjerë në Rripin e Gazës
Artileria izraelite bombardoi tendat që strehonin familjet e zhvendosura në zonën Asdaa në veriperëndim të qytetit Khan Younis, duke vrarë 12 persona, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një foshnje

Ankara
Të paktën 16 palestinezë të tjerë janë vrarë sot në sulmet izraelite ndaj tendave të zhvendosura në Khan Younis dhe Gazën qendrore, transmeton Anadolu.
Artileria izraelite bombardoi tendat që strehonin familjet e zhvendosura në zonën Asdaa në veriperëndim të qytetit Khan Younis, duke vrarë 12 persona, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një foshnje, si dhe duke plagosur disa të tjerë.
Në një sulm tjetër, një dron izraelit shënjestroi një shtëpi në kampin e refugjatëve Maghazi në Gazën qendrore, duke lënë dy të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur.
Spitali Al-Awda raportoi viktima shtesë pasi dronët izraelitë goditën një apartament në kampin e refugjatëve Nuseirat.
Spitali tha se mori dy trypa dhe 26 të plagosur në 24 orët e fundit, kryesisht nga sulmet me dron në zonat e banuara dhe tubimet pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave në jug të Wadi Gazës.
Izraeli ka vrarë të paktën 62.300 palestinezë në Gaza që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me zi buke.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.