Sulmet ajrore izraelite vrasin 47 persona në Nabi Chit dhe Baalbek në Libanin lindor
Këto sulme vijnë mes zgjerimit të fushatës ushtarake të Izraelit në Liban që nga e hëna, pas lëshimit të kufizuar me raketa nga Hezbollahu, në kuadër të tensioneve më të gjera rajonale lidhur me luftën që Izraeli dhe SHBA po zhvillojnë kundër Iranit
Nabi Chit
Të paktën 47 persona u vranë dhe 40 të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore izraelite në Libanin lindor, përkatësisht në Nabi Chit dhe Baalbek, transmeton Anadolu.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se gjashtë persona, përfshirë katër fëmijë dhe një grua, u vranë në një sulm ajror izraelit në qytetin Shmustar në rrethin Baalbek në Libanin lindor.
Një seri sulmesh ajrore izraelite në Nabi Chit dhe në qytete të afërta në Baalbek rezultuan me 41 të vrarë, përfshirë tre ushtarë libanezë, si dhe 40 të plagosur.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA) tha se përplasje ndodhën në lartësitë e vargmalit lindor përgjatë kufirit Liban-Siri në aksin Nabi Chit-Hamm, me qëllim zmbrapsjen e një përpjekjeje për zbarkim izraelit.
NNA tha se forcat izraelite tentuan një ulje ajrore pranë qytetit Nabi Chit në Libanin lindor pasi katër helikopterë Apache hodhën një njësi komando në një zonë të ashpër malore mes qyteteve Khraibeh, Ma’araboun dhe Yahfoufa përgjatë vargmalit lindor.
Sipas agjencisë, njësia përparoi gjatë natës drejt një varreze në lagjen lindore të qytetit Nabi Chit, ku u zbulua nga luftëtarët e Hezbollahut dhe banorët lokal, duke shkaktuar përplasje me armë të lehta dhe të mesme.
Agjencia tha se më pas aeroplanët dhe helikopterët izraelitë kryen rreth 40 sulme ajrore për të mbuluar tërheqjen e forcës dhe për të penguar përforcimet që të arrinin në zonë.
Hezbollahu tha gjithashtu se luftëtarët e tij u përplasën me njësinë izraelite pranë varrezave të fshatit pasi panë zbarkimin e helikopterëve, duke shtuar se forcat izraelite kryen sulme të rënda ajrore për të siguruar tërheqjen e njësisë.
Ushtria izraelite më vonë pranoi se operacioni kishte dështuar, duke thënë se forcat e saj speciale kishin vepruar gjatë natës në Liban për të gjetur navigatorin e zhdukur Ron Arad. Sipas saj, asnjë ushtar izraelit nuk u plagos.
Këto zhvillime vijnë mes zgjerimit të fushatës ushtarake të Izraelit në Liban që nga e hëna, pas lëshimit të kufizuar me raketa nga Hezbollahu, në kuadër të tensioneve më të gjera rajonale të lidhura me luftën që Izraeli dhe SHBA po zhvillojnë kundër Iranit.
Izraeli ka vrarë më shumë se 4.000 persona dhe ka plagosur rreth 17.000 të tjerë gjatë ofensivës në Liban që filloi në tetor të vitit 2023 dhe u përshkallëzua në luftë të plotë në shtator të vitit 2024.
Megjithëse ekziston një marrëveshje armëpushimi me Hezbollahun që nga nëntori i vitit 2024, Izraeli ka vazhduar shkelje pothuajse të përditshme, të cilat kanë lënë qindra të vrarë dhe të plagosur.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
