Sulm kibernetik ndaj faqes së internetit të Mossadit
Grupi i hakerëve "Anonymous Sudan" mori përgjegjësinë për sulmin kibernetik në faqet e internetit të Mossadit dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurimeve të Izraelit

Kuds
Njoftohet se janë kryer sulme kibernetike në faqet e internetit të agjencisë izraelite të inteligjencës së jashtme "Mossad" dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurimeve të Izraelit, transmeton Anadolu.
Gazeta "Yedioth Ahronoth" raportoi se faqet e internetit të institucioneve të ndryshme zyrtare të Izraelit i janë nënshtruar një sulmi kibernetik nga një grup hakerësh i quajtur "Anonymous Sudan".
Gazeta tha se faqet e internetit të Mossadit dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurimeve të Izraelit nuk mund të aksesoheshin dhe se sulmi kibernetik u krye nga grupi i hakerëve "Anonymous Sudan".
Grupi "Anonymous Sudan" gjithashtu bëri një deklaratë në llogarinë e tij në Telegram, ku tha se "ky sulm është përgatitje për një sulm të madh".
Ndërsa Mossadi nuk ka bërë deklaratë për këtë zhvillim, Agjencia Kombëtare e Sigurimeve e Izraelit konfirmoi se uebfaqja e saj zyrtare është hakuar.
Sulmet kibernetike kundër institucioneve të ndryshme izraelite
Në një lajm të publikuar nga "The Jerusalem Post" më 4 prill, thuhej se faqet e internetit të universiteteve kryesore në Izrael i janë nënshtruar një sulmi kibernetik nga një grup hakerësh i quajtur "Anonymous Sudan".
Sipas raportimeve, faqet e internetit të Universitetit të Tel Avivit, Universitetit Hebraik të Kudsit, Universitetit Ben-Gurion të Negevit, Universitetit të Haifës, Institutit të Shkencave Weizmann, Universitetit të Hapur të Izraelit dhe Universitetit Reichman nuk mund të aksesoheshin për shkak të sulmit.
Në lajmin e saj më 5 prill, gazeta "The Jerusalem Post" raportoi se Transmetuesi Publik i Izraelit (KAN), i24 dhe Channel 2 ishin hakuar.
Në lajmet në mediat izraelite më 14 prill, thuhej se kompania postare izraelite, bankat e mëdha emrat e të cilëve nuk u publikuan dhe kompania e energjisë elektrike nuk mund të aksesoheshin për një kohë të shkurtër për shkak të një sulmi kibernetik.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.