Bota

Suleiman Al-Halabi, dijetari i ri kurd që i dha goditje të rëndë sundimit kolonial francez në Egjipt

Në vitin 1800, Al-Halabi vrau gjeneralin Jean Baptiste Kleber, duke hapur rrugën për tërheqjen e Francës nga Egjipti

Alaattin Doğru  | 18.06.2021 - Përdıtësım : 20.06.2021
Suleiman Al-Halabi, dijetari i ri kurd që i dha goditje të rëndë sundimit kolonial francez në Egjipt ( Alaattin Doğru - Anadolu Agency )

Strazburg

Alaattin Doğru/Esra Taşın

Suleiman al-Halabi, dijetar i ri me origjinë kurde, i cili vrau gjeneralin Jean Baptiste Kleber, komandantin e sundimit kolonial pushtues francez të periudhës së Napoleon Bonapartës në Egjipt dhe hapi rrugën për tërheqjen e Francës nga Egjipti, po përkujtohet në 221-vjetorin e vdekjes, shkruan Anadolu Agency (AA).

Al-Halabi, i cili në burimet franceze thuhet të jetë anëtar i familjes kurde Evs Qubar, lindi në 1777 në fshatin Kukan pranë Afrinit të Sirisë.

Al-Halabi u dërgua në Mekë dhe Medinë dhe më pas në Egjipt në vitin 1797 nga babai i tij, Mohammed Emin, një tregtar gjalpi dhe vaji ulliri, për të mësuar shkencat islame.

Al-Halabi, i cili u regjistrua në Al-Azhar të Kajros, filloi të merret edhe me kaligrafi krahas studimeve të tij shkencore.

Duke u kthyer në fshatin e tij në Siri në fillim të vitit 1800 pasi përfundoi arsimin e tij në medrese, pas një kohe al-Halabi shkoi në Palestinë për të vizituar Mesxhid al-Aksanë.

Detyra e dhënë nga oficerët osmanë për vrasjen e gjeneralit kolonial

Al-Halabi-t, të cilin fati e takoi me dy oficerë të inteligjencës osmane në Kuds, iu dha detyra për të vrarë gjeneralin Jean Baptiste Kleber, komandantin e forcave koloniale pushtuese në Egjipt.

Në atë kohë 23-vjeçar, ai pranoi detyrën dhe u kthye në Kajro 20 ditë më vonë së bashku me një karvan tregtar, si dhe planifikoi vrasjen duke qëndruar në oborrin e Xhamisë së Madhe të qytetit.

Al-Halabi ua kishte shpjeguar planin e vrasjes katër diejtarëve sirianë në oborrin e xhamisë ku po qëndronte. Ndaj përpjekjeve të tyre për ta bërë të heqë dorë, ai ishte shprehur me vendosmëri: “Jo, kjo punë u zgjat shumë, unë do ta përfundoj tani”.

Sipas dokumenteve të marrjes në pyetje, dijetari i ri kurd, i cili kishte vëzhguar pallatin e gjeneralit për një muaj, kishte siguruar një kamë në qytetin e Gizës për të vrarë Kleber-in, i cili po përndjekte muslimanët.

Më 14 qershor 1800, Al-Halabi hyri në kopshtin e pallatit të Kleber-it në Kajro, i maskuar si lypës, dhe u fsheh pas një muri të shkatërruar. Kur gjenerali erdhi në kopsht, Al-Halabi, i cili iu afrua fshehurazi, goditi me thikë komandantin kolonial në katër vende, si dhe gjashtë herë inxhinierin francez Protain i cili po përpiqej ta mbronte atë.

Ndërsa Kleber vdiq menjëherë pas goditjeve me thikë që i mori, Protain, i cili u plagos rëndë, vdiq disa ditë pas atentatit.

Al-Halebi e groposi thikën dhe iku, por më vonë u gjet nga ushtarët francezë në vendin ku po fshihej.

“U dërgova nga jeniçerët”

Sipas të dhënave të marrjes në pyetje të policisë koloniale franceze, Al-Halabi, u arrestua dhe u burgos së bashku me katër personat që ishin në dijeni të atentatit.

Al-Halabi pranoi vrasjen pasi u torturua për një kohë të gjatë dhe deklaroi se ishte porositur nga jeniçerët osmanë për të vrarë Kleber-in, i cili u kishte shkaktuar humbje ushtrive osmane.

Sundimi kolonial vendosi t’i dënojë me vdekje Al-Halabi-n dhe katër dijetarët.

Al-Halabi-t fillimisht iu dogj dora me të cilën kishte përdorur armën, ndërsa ekzekutimi i tij u bë përmes impalimit, një metodë torturuese e uljes në hell, gjatë së cilës ai duroi dhimbjet për katër orë para se të ndërronte jetë.

Më pak se një vit pas vrasjes së Kleber-it, forcat franceze në Egjipt u detyruan të tërhiqeshin.

Mjeku francez Dominique-Jean Larrey, i cili ishte dëshmitar i ekzekutimit, deklaroi në një artikull që shkroi në vitin 1803 se Al-Halebi nuk e komprometoi qëndrimin e tij dinjitoz deri në momentin që vdiq.

Forcat koloniale franceze ekspozuan kafkën e Al-Halabi-t në Paris nën emrin “kriminel”

Historia heroike e Suleiman Al-Halabi-t u krijua si dramë teatrale nga nacionalisti arab Alfred Farag në vitin 1965.

Kafka dhe kama e Al-Halabi-t, emri i të cilit iu vendos një lagjeje në Halep, u dërguan në Francë nga sundimi kolonial.

Gjersa kama, e cila ende ekspozohet në Muzeun e Qytetit Carcassonne, rikujton guximin e Al-Halabi-t, kafka e ekspozuar me emrin “kriminel” në Muzeun e Njeriut në Paris dëshmon për brutalitetin e kolonializmit francez.

Ndërkaq, eshtrat e Kleber-it gjenden nën statujën e tij në Sheshin Kleber në qytetin e Strasburgut. Muzeu Historik i Strazburgut gjithashtu ka një pikturë që përshkruan vrasjen e gjeneralit.

Inxhinieri egjiptian dëshiron kthimin e mbetjeve të Al-Halabi-t në vendin e tij

Qeveria egjiptiane, e cila ka afërsi me qeverinë franceze, nuk ka bërë asnjë përpjekje të njohur për të kthyer në vend kafkën e Al-Halabi nga Muzeu i Njeriut.

Megjithatë, inxhinieri egjiptian Ihssan Muharram po bën fushatë në nivel lokal dhe ndërkombëtar për të sjellë eshtrat dhe kafkën e tij përsëri në Egjipt dhe për ta varrosur atë me dinjitet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.