Suedia: Veprimet e SHBA-së "dëmtojnë besimin" dhe kundërshtojnë vlerat e Evropës
Kryediplomatja suedeze Stenergard tha se vendi "nuk do të bëjë kurrë kompromis mbi integritetin territorial të fqinjëve të tij"
Stamboll
Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Maria Malmer Stenergard ka deklaruar se veprimet e fundit nga SHBA-ja po dëmtojnë besimin dhe po kundërshtojnë angazhimin e Evropës për bashkëpunim global dhe të drejtën ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Këto kritika, kryediplomatja suedeze i bëri gjatë prezantimit të deklaratës vjetore të politikës së jashtme të Suedisë.
"Është e qartë se SHBA-ja po vepron gjithnjë e më shumë në një mënyrë që dëmton besimin dhe që kundërshton vlerat e Evropës për bashkëpunim global dhe të drejtën ndërkombëtare", tha Stenergard në vërejtjet që theksojnë tensionet transatlantike në rritje.
Pavarësisht kritikave, ajo theksoi se Washingtoni mbetet thelbësor për sigurinë dhe prosperitetin suedez dhe evropian.
Stenergard riafirmoi qëndrimin e Suedisë mbi sovranitetin territorial. Ajo tha se vendi "nuk do të bëjë kurrë kompromis mbi integritetin territorial të fqinjëve të tij", duke theksuar vetëm Danimarka dhe Grenlanda duhet të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me territoret e tyre.
Ajo tha se nuk beson se armët bërthamore duhet të vendosen në tokën suedeze para kohës së luftës.
Komentet e saj vijnë mes një debati më të gjerë në Suedi mbi politikën e mbrojtjes dhe sigurisë ndërsa vendi përgatitet për zgjedhjet parlamentare të planifikuara për në shtator të vitit 2026.
Më tej, ajo shprehu besim se SHBA-ja do ta mbështesë Suedinë në rast të një sulmi ushtarak sipas Nenit 5 të NATO-s.
"Nuk ka dyshim për këtë", theksoi ajo.
Kryediplomatja suedeze hodhi poshtë thirrjet për të vendosur armë bërthamore në tokën suedeze gjatë kohës së paqes, duke shtuar se Suedia ka një traditë të gjatë të kundërshtimit të masave të tilla, një qëndrim i ndarë nga vendet e tjera nordike.
Komentet pasuan deklaratat e zëdhënësit të politikës së jashtme të Demokratëve të Suedisë, Aron Emilsson, i cili tha se Suedia nuk duhet të përjashtojë strehimin e armëve bërthamore në "zonën gri" midis paqes dhe luftës në shkallë të plotë dhe bëri thirrje për prani më të fortë ushtarake nordike dhe evropiane rreth Grenlandës.
