Suedia njofton një paketë ndihme ushtarake prej 1.4 miliardë dollarësh për Ukrainën
Jonson tha se me paketën e fundit, mbështetja ushtarake e Suedisë për Ukrainën që nga viti 2022 do të arrijë në 11.4 miliardë dollarë
Gjenevë
Ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson, ka bërë të ditur se Suedia do të ofrojë një paketë të re ndihme ushtarake prej 1.4 miliardë dollarësh për Ukrainën, transmeton Anadolu.
Në një seri postimesh në platformën amerikane të mediave sociale X, Jonson tha se paketa, e 21-ta e Suedisë që nga fillimi i luftës me Rusinë në fillim të vitit 2022, do të përqendrohet në "sisteme të mbrojtjes ajrore të prodhuara rishtazi, aftësi dhe municione me rreze të gjatë veprimi" për të përmbushur nevojat më urgjente operacionale të Ukrainës.
Ai tha se rreth 470 milionë dollarë do të shkojnë për mbrojtjen ajrore të përparuar me rreze të shkurtër veprimi, duke përfshirë sisteme armësh dhe raketash, interceptorë, sensorë, pajisje të luftës elektronike dhe sisteme komandimi dhe kontrolli, "të dizajnuara për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe qendrat e popullsisë civile".
330 milionë dollarë të tjerë, sipas ministrit do të financojnë furnizimet me municione, të tilla si predha artilerie me rreze të gjatë veprimi, fishekë mbrojtjeje ajrore 40 milimetra dhe municione mortaje 120 milimetra, së bashku me mbështetje për trajnim dhe mirëmbajtje.
Suedia gjithashtu do të ofrojë pjesë këmbimi, riparime dhe zëvendësim të pajisjeve të dhuruara më parë.
Ai shtoi se 620 milionë dollarët e mbetur do të mbështesin dronët me rreze të gjatë veprimi, anijet sipërfaqësore pa pilot, projektet e inovacionit dhe fondet ndërkombëtare të prokurimit.
Jonson tha se me paketën e fundit, mbështetja ushtarake e Suedisë për Ukrainën që nga viti 2022 do të arrijë në 11.4 miliardë dollarë. Ai theksoi se mbështetja e Stokholmit për Kievin "mbetet e palëkundur".
