Bota

Suedi, gjykata vendos në favor të muslimanes e cila refuzoi të shtrëngojë dorën

Zyra e Avokatit të Popullit të Suedisë thekson se gruaja muslimane me emrin Farah Alhajeh ka aplikuar për punë në një kompani, por biseda e saj për punësim u ndërpre pasi ajo refuzoi të shtrëngojë dorën me një zyrtar të kompanisë

Atila Altuntaş  | 16.08.2018 - Përdıtësım : 16.08.2018
Suedi, gjykata vendos në favor të muslimanes e cila refuzoi të shtrëngojë dorën

Stockholm

STOCKHOLM (AA) – Gjykata në Suedi ka vendosur në favor të një mulimaneje, të cilës iu ishte ndërprerë biseda për punësim pasi kishte refuzuar të shtrëngonte dorën me një zyrtar të kompanisë. Viktimës së diskriminimit do t'i paguhet kompensim prej 3.900 euro, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyra e Avokatit të Popullit të Suedisë thekson se gruaja muslimane me emrin Farah Alhajeh ka aplikuar për punë në një kompani përkthyese në qytetin Uppsala, por biseda e saj për punësim u ndërpre pasi ajo refuzoi të shtrëngojë dorën me një zyrtar të kompanisë.

Më pas, zyra e Avokatit të Popullit këtë rast e dërgoi në Gjykatën për Çështje Pune të Suedisë, e cila vendosi në favor të Farah Alhajeh. Vendimi i gjykatës thekson se Alhajeh është diskriminuar, dhe se për këtë arsye duhet t'i paguhet kompensimi në vlerë prej 40 mijë kruna (rreth 3.900 euro).

Sipas vendimit të gjykatës, Alhajeh ka pasur të drejtë të refuzojë shtrëngimin e duarve me gjininë e kundërt, që theksohet në pikën e 9-të të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

Alhajeh në një deklaratë për servisin publik suedez SVT tha se është e lumtur për vendimin e gjykatës.

"Gjatë intervistës për punë ishte i pranishëm dhe një mashkull. I thashë se jam muslimane dhe se për shkaqe të besimit nuk mund të shtrëngoj dorën. Në vend të kësaj u përshëndeta me lëvizje të kokës. Në këtë moment më thanë se intervista përfundoi dhe se nuk fitova punën", ka thënë Alhajeh.

Ajo më tej shtoi se në atë moment u largua nga zyra dhe është futur në ashensor ku ka filluar të qajë.

"Kurrë më parë nuk jam ballafaquar me një situatë të tillë. Kompensimi në të holla aspak nuk është i rëndësishëm. E rëndësishme është se unë veprova në përputhje me të drejtat e mia", ka thënë Alhajeh. 


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın