Stuhitë përmbytin tendat e improvizuara, familjet e zhvendosura në Gaza përballen me dimrin e ashpër
Përderisa Izraeli po bllokon hyrjen e tendave dhe strehimoreve të lëvizshme, familjet që përballen me mungesa të mëdha strehimi të përshtatshëm po përpiqen të përballojnë jetesën në strehimore të improvizuara
Shkup
Familjet palestineze të zhvendosura që janë strehuar përgjatë vijës bregdetare në perëndim të Deir al-Balah në Gazën qendrore po përpiqen të përballojnë shiun e rrëmbyeshëm dhe motin e ftohtë që përfshin zonën, raporton Anadolu.
Përderisa Izraeli po bllokon hyrjen e tendave dhe strehimoreve të lëvizshme, familjet që përballen me mungesa të mëdha strehimi të përshtatshëm po përpiqen të përballojnë jetesën në strehimore të improvizuara që janë përmbytur nga reshjet e vazhdueshme të shiut.
Kushtet e vështira, të kombinuara me strehimin e pamjaftueshëm, e kanë përkeqësuar më tej situatën tashmë të rëndë humanitare.
Fatima Abdel Nabi, një grua e moshuar palestineze që jeton me familjen e saj në një tendë të improvizuar pranë detit, tha se shiu e ka lagur zonën e tyre, duke i lënë të paaftë të mbijetojnë ndërsa po afrohet dimri.
"Fëmijët u zgjuan të tmerruar në mes të natës kur erërat e ftohta dhe shiu goditën tendën. Ata nuk kishin kohë as të vishnin rroba ose të merrnin ndonjë gjë. Çfarë duhet të bëjnë ata? Çfarë mund të bëjmë ne?", pyeti ajo.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Palestinës, WAFA, Departamenti Meteorologjik Palestinez raportoi se Gaza është përfshirë nga një valë e ftohtë e shoqëruar me shira të rrëmbyeshëm dhe stuhi.
Autoritetet thanë se Izraeli po shkel protokollin humanitar të marrëveshjes së armëpushimit të arritur muajin e kaluar duke bllokuar hyrjen e materialeve të strehimit, siç janë tendat dhe shtëpitë e lëvizshme.
Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit, bazuar në planin 20-pikësh të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani parashikon gjithashtu rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.
Izraeli ka vrarë më shumë se 69.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, në Gaza që nga tetori i vitit 2023 dhe e ka shndërruar vendin në rrënoja.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
