Bota

Studiuesit në konferencën për Gazën në Stamboll theksojnë detyrimin urgjent për ndihmë

Takimi i titulluar “Përgjegjësia Islame dhe Humanitare: Gaza” ka mbledhur më shumë se 150 dijetarë nga mbi 50 vende për të diskutuar luftën e Izraelit në Gaza dhe përgjigjen e gjerë të botës islame

Gizem Nisa Çebi Demir  | 23.08.2025 - Përdıtësım : 23.08.2025
Studiuesit në konferencën për Gazën në Stamboll theksojnë detyrimin urgjent për ndihmë

Stamboll

Studiues muslimanë të njohur kanë theksuar se ekziston një detyrim urgjent për të ofruar ndihmë për palestinezët në Gaza, teksa dita e dytë e konferencës ndërkombëtare vazhdoi në Ishullin e Demokracisë dhe Lirisë në Stamboll, raporton Anadolu.

Takimi i titulluar “Përgjegjësia Islame dhe Humanitare: Gaza” organizohet nga Unioni Ndërkombëtar i Studiuesve Musliman (IUMS) dhe Fondacioni për Studiuesit Islam në Turqi. Ai ka mbledhur më shumë se 150 dijetarë nga mbi 50 vende për të diskutuar luftën e Izraelit në Gaza dhe përgjigjen e gjerë të botës islame.

Dita filloi me një sesion protokollar që përfshinte fjalimet e figurave të larta, duke përfshirë presidentin e IUMS-it, sheikh Ali Muhyiddin al-Qaradaghi, kreun e Drejtorisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), Ali Erbaș dhe sekretarin e përgjithshëm të IUMS-it, sheikh Ali Muhammad al-Sallabi.

Sheikh Abdul Wahab Aykinci, kryetar i Shoqatës Ummat, hapi sesionin në emër të komitetit organizues, ndërsa fjalimet e të ftuarve u mbajtën nga dijetarë irakianë dhe turq, përfshirë sheikh Ahmed Hassan Al-Taha nga Këshilli i Fikhut Irakian dhe Prof. Nasrullah Hacimuftuoğlu, president i Fondacionit për Studiuesit Islam në Turqi.

Punëtoria e parë u fokusua në “detyrimin për ndihmë ndaj Gazës,” ku krerët e delegacioneve paraqitën rekomandimet e tyre.

Më vonë gjatë ditës, programi duhej të përfshinte një konferencë pwr media mbi zhvillimet e fundit në Gaza dhe të përfundonte me një deklaratë publike dhe protestë në solidaritet me palestinezët, por u shtynë për shkak të ndryshimeve në orarin e programit.

Konferenca do të vazhdojë nesër me një sërë punëtorish që do të ndajnë pjesëmarrësit në grupe dijetarësh, përfaqësuesish shtetërorë, biznesmenësh, profesionistësh të medias dhe figurash politike.

Sesione të ndryshme do të fokusohen në tema si detyrat e dijetarëve dhe qeverive islame, roli i biznesit në rindërtim dhe projekte ndihme, përgjegjësitë e medias dhe mënyrat për forcimin e unitetit në botën myslimane.

Dita do të mbyllet me përgatitjen e raporteve nga punëtoritë dhe një sesion të përgjithshëm vlerësimi të rezultateve.

Ngjarja tetë-ditore, e cila filloi të premten me lutje në Xhaminë Eyup Sultan në Stamboll, do të vazhdojë deri më 29 gusht.

Ajo pritet të mbyllet në Xhaminë e Madhe Ajasofja me nxjerrjen e “Deklaratës së Stambollit,” një dokument që organizatorët thonë se do të përshkruajë “hapa konkretë për veprim politik, humanitar dhe ligjor” në mbështetje të çështjes palestineze.

“Jemi mirënjohës për ata që nuk heshtin”

Duke folur për Anadolu në kuadër të konferencës, Abdul Vakhed Niyazov, presidenti i Forumit Musliman Evropian, vlerësoi udhëheqjen e Turqisë në organizimin e takimit.

Niyazov tha se shumë organizata muslimane kanë qëndruar në heshtje për Gazën, por theksoi se Diyaneti i Turqisë dhe Unioni Ndërkombëtar i Studiuesve Muslimanë “nuk kanë heshtur, por kanë mbledhur kolegët e tyre, udhëheqësit shpirtërorë muslimanë dhe po përpiqen të arrijnë në mendjet e shoqërisë, duke folur për tmerret që po përjetojnë sot vëllezërit dhe motrat tona në Gaza”.

Muslimanët e Evropës “kanë treguar përgjegjësi”

I pyetur për rolin e muslimanëve në Evropë, Niyazov tha se komunitetet e diasporës kanë qenë më aktive se shumë qeveri të vendeve me shumicë muslimane.

“Jemi krenarë që muslimanët e Evropës kanë treguar përgjegjësinë dhe organizimin e tyre gjatë 23 muajve të fundit. Ndryshe nga shumica e botës muslimane, veçanërisht vendet arabe, muslimanët e Evropës çdo fundjavë mbushin sheshet dhe rrugët më të mëdha të Evropës, duke ngritur zërin në mbrojtje të Gazës dhe Palestinës”, tha ai.

Ai shtoi se komunitetet muslimane në Evropë, Amerikë dhe Kanada kanë treguar “pjekuri” dhe u janë bashkuar njerëz të besimeve të tjera, përfshirë të krishterë dhe hebrenj, në dënimin e gjenocidit dhe “mizorisë dhe krimeve sioniste”.

“Vetëm organizata jonë, vitin para të kaluarit, mbajti aksione të tilla në 17 vende evropiane, aksione masive në mbështetje të Palestinës, Gazës dhe faltoreve muslimane”, tha Niyazov, duke e vlerësuar “entuziazmin dhe impulsin e besimtarëve” në gjithë Evropën për mbajtjen e këtyre demonstratave.

 “Institucionet evropiane mbeten të heshtura”

Duke u ndalur tek nismat e Forumit Musliman Evropian, Niyazov theksoi mbështetjen e rritur publike për Palestinën në të gjithë Evropën, megjithëse akuzoi institucionet politike se kanë mbetur prapa.

“Shumica e evropianëve sot nuk e pranojnë gjenocidin dhe krimet e përgjakshme të sionistëve dhe qëndrojnë kundër tyre. Ne shohim se si po ndryshon qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Holandës. Madje ka filluar të ndryshojë edhe në Gjermani”, tha ai.

Megjithatë, ai kritikoi udhëheqjen e BE-së për mosveprim.

“Sa i përket institucioneve evropiane, fatkeqësisht, ato kanë marrë një qëndrim heshtjeje dhe indiference. Nuk mund ta mohojnë më gjenocidin në Gaza, por po përpiqen të qëndrojnë të heshtur. Udhëheqja e BE-së e drejtuar nga zonja von der Leyen ka një qëndrim veçanërisht të dënueshëm”, tha Niyazov, duke shtuar se historia do t’i gjykojë udhëheqës të tillë si “bashkëpunëtorë të krimeve të përgjakshme.”

Niyazov gjithashtu theksoi mbështetjen nga institucionet kishtare, përfshirë Vatikanin, si dhe iu referua deklaratave të Papa Françeskut të ndjerë mbi Palestinën.

“Një besimtar nuk mund të mos vërë re vrasjen e grave dhe fëmijëve me qindra mijëra çdo javë”, tha ai, duke theksuar se mobilizimi nga baza mbetet forca më e madhe për ndryshim.

“Po, ka qeveri të korruptuara, udhëheqës që kanë frikë nga diçka, forcat e frikshme të SHBA-së ose lobit izraelit,” tha ai.

“Por kur njerëzit dalin në rrugë, në shesh, ata arrijnë, hap pas hapi, të ndryshojnë situatën”, theksoi ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.