Studimi zbulon "dozën vdekjeprurëse" për jetën e egër detare si pasojë e gëlltitjes së plastikës
Një studim ndërkombëtar për herë të parë tregon se sa plastikë duhet për të vrarë zogjtë e detit, gjitarët detarë dhe breshkat e detit, duke ofruar një pasqyrë të re të ndikimeve globale të ndotjes së oqeanit
Londër
Një studim i madh ndërkombëtar për herë të parë tregon se sa plastikë duhet për të vrarë zogjtë e detit, gjitarët detarë dhe breshkat e detit, duke ofruar një pasqyrë të re të ndikimeve globale të ndotjes së oqeanit, transmeton Anadolu.
Hulumtuesit analizuan më shumë se 10 mijë nekropsi kafshësh, duke përpiluar një nga grupet më të mëdha të të dhënave të këtij lloji.
Gjetjet e tyre, të botuara në "Proceedings of the National Academy of Sciences", tregojnë se midis 6 dhe 405 copë makroplastika mund t'i japin një kafshe një shans 90 për qind për të vdekur, varësisht nga speciet dhe lloji i plastikës së konsumuar.
Studimi zbulon dallime të habitshme midis grupeve të kafshëve.
Një rrezik vdekshmërie prej 90 për qind është i lidhur me rreth 23 copë për zogjtë e detit, 29 copë për gjitarët detarë dhe deri në 405 copë për breshkat e detit. Rëndësi kanë edhe madhësia dhe materiali i plastikës ku artikujt prej gome janë të rrezikshëm për zogjtë e detit, plastikat e buta dhe pajisjet e peshkimit përbëjnë rrezikun më të madh për gjitarët detarë ndërsa plastikat e forta dhe të buta më vdekjeprurëse për breshkat.
Gëlltitja e plastikës është dokumentuar tashmë në gati 1.300 specie detare, nga zogjtë e vegjël të detit deri te balenat me gungë. Por, përcaktimi sasior i rrezikut ka qenë i vështirë, pasi kafshët zakonisht vdesin nga bllokime të papritura ose lëndime në vend të ekspozimit afatgjatë.
Hulumtuesit përdorën një model statistikor të specializuar për të kapur se si llojet e ndryshme të plastikës rrisin mundësinë e një rezultati fatal.
Në përgjithësi, studimi zbulon se 35 për qind e zogjve të detit, 12 për qind e gjitarëve detarë dhe 47 për qind e breshkave të detit kanë gëlltitur plastikë, me një përqindje më të vogël por të konsiderueshme për të qenë fatale direkt prej saj.
Shkencëtarët thonë se rezultatet mund të ndihmojnë qeveritë të zhvillojnë pragje më të qarta se kur ndotja plastike bëhet e rrezikshme, duke forcuar thirrjet për veprim global.
Autorët shpresojnë se puna e tyre do të informojë sistemet e ardhshme të monitorimit dhe do të udhëheqë politikat ndërkombëtare për të frenuar ndotjen plastike që hyn në oqean.
