Bota

Studimi i ri lidh shpërthimet e etheve të dengës me kushtet klimatike

Studimi thekson lidhje të qarta mes sëmundjes së transmetuar nga mushkonjat dhe kushteve klimatike në një rajon që regjistroi shifrën rekord prej 13 milionë rastesh në vitin 2024

Efe Özkan  | 21.08.2025 - Përdıtësım : 21.08.2025
Studimi i ri lidh shpërthimet e etheve të dengës me kushtet klimatike

Istanbul

Sipas një studimi të kryer së fundmi, shpërthimet e etheve të dengës në kontinentin amerikan priren të ndodhin rreth pesë muaj pas fenomenit El Nino, transmeton Anadolu.

Studimi i kryer nga revista ‘Science Translational Medicine’ thekson lidhje të qarta mes sëmundjes së transmetuar nga mushkonjat dhe kushteve klimatike në një rajon që regjistroi shifrën rekord prej 13 milionë rastesh në vitin 2024.

Denga, e shkaktuar nga katër viruse të ngjashme dhe e përhapur nga mushkonjat ‘Aedes’, nuk ka trajtim specifik. Ajo mund të shkaktojë ethe, dhimbje të forta dhe në disa raste edhe vdekje.

Studimi analizoi gati tre dekada të dhënash nga 14 vende. Studiuesit zbuluan se rastet në rajon rriteshin dhe binin në sinkron, me një diferencë rreth 6-mujore, madje edhe mes zonave të ndara deri në 10 mijë kilometra.

Bashkë-autorja Talia Quandelacy, epidemiologe e sëmundjeve infektive në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit të Kolorados, tha se gjetjet janë “të dobishme për të parashikuar kur një rajon mund të përballet me një epidemi, gjë që mund të ndihmojë në planifikim dhe përgatitje”.

Quandelacy tha se megjithëse lidhja mes dengës dhe klimës është e njohur prej kohësh, ky studim tregon se si kjo marrëdhënie shfaqet në të gjithë kontinentin, veçanërisht duke marrë parasysh se është një rajon me klimë kaq të larmishme.

Ajo shpjegoi se virusi i dengës ri-prodhohet më shpejt në kushte më të ngrohta dhe se periudha e inkubacionit të tij brenda mushkonjës shkurtohet në temperatura të larta.

“Transmetimi i virusit të dengës është shumë më efikas kur kemi temperatura më të ngrohta”, theksoi ajo.

Megjithatë, sipas specialistes në Shkollën e Shëndetit Publik ‘Harvard T.H. Chan’, Marcia Castro, klima është vetëm një pjesë e ekuacionit, pasi imuniteti i popullatës dhe kushtet e dobëta higjieno-sanitare në zonat urbane luajnë gjithashtu rol.

“Analizat që tregojnë ndikimin e ngjarjeve ekstreme të motit si El Nino janë të rëndësishme, por sidomos për arboviruset, duhet të marrim parasysh karakteristikat lokale të zonave urbane”, tha Castro.

“Kemi qytete pa infrastrukturë, lagje të varfra që zgjerohen dhe pastaj vjen El Nino që i përkeqëson të gjitha pasojat”, shtoi ajo.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.