Bota

Studimi finlandez zbulon se të përzierat e forta në mëngjes lidhen me një rrezik më të lartë të depresionit

Hulumtimi zbuloi se gratë që përjetuan të përziera të forta në mëngjes gjatë shtatzënisë kishin më shumë gjasa të përballen me depresion si para ashtu edhe pas lindjes

İlayda Çakırtekin  | 16.11.2025 - Përdıtësım : 16.11.2025
Studimi finlandez zbulon se të përzierat e forta në mëngjes lidhen me një rrezik më të lartë të depresionit

Stamboll

Një studim nga Universiteti Turku në Finlandë ka zbuluar se të përzierat e forta në mëngjes gjatë shtatzënisë lidhen me një rrezik të lartë të depresionit, transmeton Anadolu.

Hulumtimi zbuloi se gratë që përjetuan të përziera të forta në mëngjes gjatë shtatzënisë kishin më shumë gjasa të përballen me depresion si para ashtu edhe pas lindjes.

Po ashtu u zbulua se ato zhvillonin depresion pas lindjes në një fazë më të hershme.

“Përveç efekteve fizike, të përzierat e forta në shtatzëni mbartin një barrë të konsiderueshme psikosociale. Megjithatë, informacioni mbi lidhjen e saj me sëmundjet psikiatrike ka qenë i kufizuar deri më tani”, tha universiteti në një njoftim për media, duke theksuar se kjo është hera e parë që kjo lidhje është identifikuar.

Studimi shqyrtoi të dhënat mbi 437 mijë gra finlandeze midis viteve 2004 dhe 2017, si dhe zbuloi se 8,8 për qind e atyre me të përziera të rënda gjatë shtatzënisë kishin depresion para shtatzënisë, krahasuar me 1 për qind në grupin e kontrollit.

“Kjo do të thotë se këto gra kishin më shumë se pesë herë më shumë gjasa të përjetonin depresion para shtatzënisë. Përveç kësaj, ato kishin gjithashtu rreth 3.5 herë më shumë gjasa të zhvillonin depresion të ri, të pa diagnostikuar më parë, pas lindjes së fëmijës”, tha universiteti.

Sipas studimit, mesatarisht depresioni u diagnostikua 3.3 vjet pas lindjes tek gratë me të përziera të rënda gjatë shtatzënisë, krahasuar me 4.5 vjet në grupin e kontrollit.

“Hulumtimi ynë tregon se të përzierat e rënda gjatë shtatzënisë nuk janë vetëm një gjendje stresuese fizikisht, por edhe një faktor i rëndësishëm rreziku për shëndetin mendor. Rezultatat theksojnë nevojën për bashkëpunim të përmirësuar midis psikiatrisë, gjinekologjisë dhe kujdesit parësor”, tha Eeva Terava-Utti, studiuese e doktoraturës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.