Bota

Studim: Pirja e pamjaftueshme e ujit shkakton reagim më të fortë ndaj stresit

Hulumtuesit në Universitetin John Moores të Liverpoolit zbuluan se individët me konsum të ulët të lëngjeve çdo ditë lëshojnë nivele më të larta të kortizolit, hormonit kryesor të stresit në trup, kur i nënshtrohen situatave stresuese

Necva Taştan Sevinç  | 22.08.2025 - Përdıtësım : 22.08.2025
Studim: Pirja e pamjaftueshme e ujit shkakton reagim më të fortë ndaj stresit

Istanbul

Një studim ka zbuluar se njerëzit që nuk pinë mjaftueshëm ujë çdo ditë mund të përjetojnë një reagim më të fortë biologjik ndaj stresit, raportoi të premten transmetuesi irlandez RTE, transmeton Anadolu.

Hulumtuesit në Universitetin John Moores të Liverpoolit zbuluan se individët me konsum të ulët të lëngjeve çdo ditë lëshojnë nivele më të larta të kortizolit, hormonit kryesor të stresit në trup, kur i nënshtrohen situatave stresuese.

Studimi, i botuar në "Journal of Applied Physiology", krahasoi dy grupe me nga 16 të rritur secili.

Një grup pinte zakonisht më pak se 1,5 litra ujë në ditë, ndërsa tjetri përmbushte udhëzimet e Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore prej rreth 2,5 litra për burrat dhe 2 litra për gratë.

Nivelet e hidratimit të pjesëmarrësve u gjurmuan gjatë një jave para se të merrnin pjesë në një test stresi që përfshinte një intervistë surprizë pune dhe një sfidë aritmetike mendore para një paneli.

Mostrat e pështymës të mbledhura para dhe pas testit treguan se nivelet e kortizolit u rritën ndjeshëm tek ata me konsum më të ulët të lëngjeve.

"Njerëzit që kanë një konsum të ulët ditor të lëngjeve, të cilët nuk i përmbushin rekomandimet, ka të ngjarë të jenë të hidratuar dobët", tha Neil Walsh nga Shkolla e Shkencave të Sportit dhe Ushtrimeve të Universitetit.

"Por ajo që nuk dinim ishte nëse, kur i stresoni këta njerëz në kushte të kontrolluara, ata do të kenë një reagim më të madhe ndaj hormoneve të stresit. Nëse e dini që keni një afat të afërt ose një fjalim për të mbajtur, mbajtja e një shisheje uji afër mund të jetë një zakon i mirë me përfitime të mundshme për shëndetin tuaj afatgjatë", shtoi Walsh.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın