Studim: Mungesa e infermierëve sjell pasoja fatale për spitalet gjermane
Sipas një studimi të fundit, jetëgjatësia ka rënë me 0,28 vjet në rajonet kufitare, ndërsa ka vazhduar të rritet në pjesën tjetër të Gjermanisë
Londër
Vdekshmëria në spitale në rajonin kufitar të Gjermanisë është rritur me 4,4 për qind për shkak të mungesës së stafit infermieror si rezultat i migrimit drejt Zvicrës, tregon një studim i publikuar së fundmi, transmeton Anadolu.
Sipas studimit të publikuar të hënën, studiuesit kanë konstatuar “pasoja të drejtpërdrejta” për spitalet gjermane si rezultat i migrimit të stafit infermieror drejt Zvicrës.
Hulumtimi, i kryer nga Qendra për Kërkime Ekonomike Evropiane në Mannheim dhe Instituti IFO në Mynih, ka analizuar të gjitha rastet e shtrimit në spitale gjatë periudhës 2006–2017, me qëllim vlerësimin e ndikimit të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar në vdekshmëri dhe jetëgjatësi.
Studimi vë në dukje se spitalet në rajonin kufitar të Gjermanisë kanë humbur rreth 12 për qind të stafit të tyre të kualifikuar infermieror, ndërsa numri i pacientëve për infermier është rritur me rreth 10 për qind.
Gjithashtu, është konstatuar se jetëgjatësia ka rënë me 0,28 vjet në rajonet kufitare, ndërsa në pjesën tjetër të Gjermanisë ajo ka vazhduar të rritet.
Studimi shtoi se nuk është vërejtur asnjë efekt pozitiv në rajonet kufitare zvicerane sa i përket jetëgjatësisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
