Studim: Kontrolli më i rreptë i tensionit të gjakut shpëton jetë dhe ul kostot
Studimi zbuloi se mbajtja e tensionit sistolik nën 120 mm/Hg parandaloi më shumë sulme në zemër, goditje në tru dhe raste të insuficiencës kardiake krahasuar me nivelet më të larta, ndërkohë që mbeti efektive nga ana e kostos

Stamboll
Sipas një studimi të ri, objektivi për një kontroll më të rreptë të tensionit të gjakut mund të shpëtojë jetë dhe të kursejë para, transmeton Anadolu.
Studimi i kryer nga revista akademike ‘Annals of Internal Medicine’ zbuloi se mbajtja e tensionit sistolik nën 120 mm/Hg parandaloi më shumë sulme në zemër, goditje në tru dhe raste të insuficiencës kardiake krahasuar me nivelet më të larta, ndërkohë që mbeti efektive nga ana e kostos.
“Ky studim duhet t’u japë më shumë besim pacientëve me rrezik të lartë kardiovaskular dhe mjekëve të tyre që të synojnë një objektiv më intensiv për tensionin e gjakut”, tha autorja kryesore Karen Smith, hulumtuese në spitalin Brigham and Women’s në Boston.
Smith theksoi se përfitimet mbeten të vlefshme edhe kur matjet e tensionit nuk janë të përsosura.
“Gjetjet tona sugjerojnë se objektivi intensiv, nën 120 mm/Hg, parandalon më shumë ngjarje kardiovaskulare dhe ofron vlerë të mirë”, shtoi ajo.
Analiza, e cila u bazua në të dhënat e sondazheve shëndetësore amerikane dhe në provën madhore SPRINT, vlerësoi se trajtimi me objektivin më të ulët kushtonte rreth 42 mijë dollarë për çdo vit jete të fituar, vetëm pak më shumë se objektivi nën 130 mm/Hg.
Megjithatë, Smith paralajmëroi se objektivat më të rreptë nuk janë të përshtatshëm për të gjithë pacientët.
“Duke marrë parasysh rrezikun shtesë të efekteve anësore nga medikamentet antihipertensive, trajtimi intensiv nuk do të jetë optimal për të gjithë. Pacientët dhe mjekët duhet të punojnë së bashku për të përcaktuar nivelin e duhur të trajtimit, bazuar në preferencat e pacientit”, tha ajo.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.