Studim: Infeksionet e përsëritura me COVID-19 mund të çojnë në 'dështim organesh dhe vdekje'
Në studim theksohet se infeksionet e përsëritura me COVID-19 rrisin rrezikun e vdekjes me dy herë dhe rrezikun për sëmundje tri herë më shumë sesa tek ata që janë infektuar vetëm një herë

Ankara
Një studim i kryer në SHBA ka konstatuar se infeksionet e përsëritura të COVID-19 "mund të çojnë në dështim të organeve dhe vdekje", transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një raportimi të Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Washington-it, në një studim të kryer në universitet është zbuluar se personat që janë infektuar me COVID-19 për herë të dytë ose më shumë mund të kenë probleme të ndryshme shëndetësore që nuk janë parë më parë.
Në kuadër të hulumtimit, midis marsit 2020 dhe prillit 2022 janë analizuar të dhënat e rreth 5,8 milionë njerëzve.
Në studim theksohet se infeksionet e përsëritura me COVID-19 rrisin rrezikun e vdekjes me dy herë dhe rrezikun për sëmundje tri herë më shumë sesa tek ata që janë infektuar vetëm një herë.
Në studim, i cili theksoi se dështimi i organeve mund të zhvillohet në rastet kur ndodh infektimi me COVID-19 për herë të dytë ose më shumë, thuhet se kjo situatë ndikon negativisht në mushkëri, zemër, tru, në gjak, strukturën e muskujve dhe skeletit.
Epidemiologu dhe një nga studiuesit që punon në fakultet, Ziyad Al-Aly, ka deklaruar se në hulumtimin e tyre kanë parë që te njerëzit që janë infektuar për herë të dytë ose më shumë me COVID-19, gjendja e tyre shëndetësore është ndikuar negativisht si në një kohë të shkurtër, por edhe në afat të gjatë.
Duke theksuar se rreziku i sëmundjes rritet me çdo infeksion të përsëritur, Al-Aly ka bërë thirrje për kujdes ndaj infeksioneve të radhës.
Studimi zbuloi gjithashtu se riinfeksioni përkeqëson diabetin, sëmundjet e veshkave dhe problemet shëndetësore psikologjike.
Rezultatet e hulumtimit u publikuan në Nature Medical Journal.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.