Stoltenberg përjashton mundësinë e njohjes së aneksimit të katër rajoneve ukrainase
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e quajti veprimin rus "rrëmbimin të paligjshëm të tokës"
Bruksel
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përjashtoi mundësinë e njohjes së aneksimit rus të katër rajoneve ukrainase, raporton Anadolu Agency (AA).
"Aleatët e NATO-s nuk njohin dhe nuk do të njohin asnjë nga këto territore si pjesë e Rusisë", sepse "ky rrëmbim i tokës është i paligjshëm", tha Stoltenberg në një konferencë për media.
Ai tha se "referendumet e rreme" të organizuara në rajonet ukrainase Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson "u krijuan në Moskë dhe iu imponuan Ukrainës në shkelje totale të ligjit ndërkombëtar".
Stoltenberg gjithashtu u shpreh se NATO u bën thirrje të gjitha shteteve që të refuzojnë "përpjekjet flagrante të Rusisë për pushtim territorial".
Ai vuri në dukje se lufta në Ukrainë ka arritur një "moment kyç" pasi mobilizimi i pjesshëm ushtarak, aneksimi i paligjshëm dhe kërcënimet bërthamore tregojnë se lufta e presidentit rus Vladimir Putin "nuk po shkon sipas planit".
Putin "ka dështuar plotësisht në objektivat e tij strategjikë", tha më tej ai.
Stoltenberg përsëriti gjithashtu se NATO duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën sepse bota do të bëhet edhe më e rrezikshme nëse Ukraina nuk ekziston si një shtet i pavarur.
Ndryshe, tha ai, Putini ose fuqitë e tjera autoritare "do të shohin që pa u ndëshkuar dikush mund të përdorë forcën ushtarake dhe të pushtojë fqinjin e tij".
Duke iu referuar njoftimit të fundit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për aplikimin për anëtarësim në NATO me procedurë të përshpejtuar, Stoltenberg tha se Ukraina, si çdo komb sovran, ka të drejtë të "zgjedhë rrugën e tij" dhe të vendosë se cilës aleancë i përmbahet.
Në të njëjtën kohë, nënvizoi ai, u takon aleatëve të NATO-s që të vendosin unanimisht për anëtarësimin e Ukrainës.
I pyetur për sabotimin e dyshuar të tubacioneve "Rrjedha Veriore" (Nord Stream), Stoltenberg konfirmoi se anijet dhe avionët e NATO-s janë të pranishme në Detin Baltik dhe Detin e Veriut për të demonstruar gatishmërinë e aleancës.
Përveç kësaj, "anijet po mbledhin gjithashtu të dhëna që mund të jenë të dobishme si për hetimin në vazhdim, si dhe për të monitoruar këto infrastruktura kritike të energjisë", tha ai.
Stoltenberg u shpreh se aleatët e NATO-s gjithashtu rritin "shkëmbimin e inteligjencës dhe shkëmbimin e informacionit" për të ndihmuar hetimin dhe për të parandaluar incidente të mëtejshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
